Tottenhami mori vetëm 1 pikë pas 3 ndeshjeve të para në fazën e grupeve të Champions League, ndërsa në xhiron e fundit mposhtën PSV-në 2-1 me golat e Harry Kane, teksa ky i fundit shpreson se mund ta arrijnë kualifikimin në fazën tjetër.
Kane beson se Chelsea e Liverpooli janë shembuj të mirë për londinezët në misionin e vështirë për të kaluar grupin, teksa përmendi fitoren e Chelseat ndaj Barcelonës në gjysmëfinale apo edhe rikthimin e çmendur të Liverpoolit në finale ndaj Milanit.
“Champions League na ka mësuar me tregime përrallore në të kaluarën. Kur e pata shikuar Chelsean përballë Barcelonës mendoja se ata nuk kanë asnjë gjasë. Por ata përfunduan duke e fituar trofeun në vitin 2012. Pastaj Liverpooli duke humbur 3-0 në finale e riktheu rezultatin. Nuk dua të them se ky është viti ynë, por kjo fitore na jep më shumë besim se mund ta kalojmë grupin”, nënvizoi Kane.
Tottenhami ndodhet në pozitën e tretë të grupit B me 4 pikë të grumbulluara, 3 më pak se Interi që mban vendin e dytë. “Spurs” me 28 nëntor presin në “Wembley”, Interin ndeshje kjo që pritet të vendos shumë për skuadrën që do të kalojë tutje.







