Kancelari gjerman

Kallas në vend të Borrellit, Szholz kërkon që këtë javë të ketë dakordim për tri pozitat udhëheqëse të BE-së

Kancelari gjerman, Olaf Scholz u kërkoi liderëve të tjerë që të bien dakord për postet udhëheqëse në BE në një samit këtë javë.

Tri grupe politike kryesore janë pajtuar që konservatorja gjermane Ursula von der Leyen duhet ta marrë një mandat të dytë si presidente e Komisionit Europian, ndërsa ish-kryeministri portugez Antonio Costa, socialist, duhet ta marrë drejtimin e Këshillit Europian, forumi ku përfaqësohen 27 vendet anëtare. Ai do ta pasonte Charles Michelin në kryesimin e samiteve të BE-së.

Propozimi do ta bënte kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, mbështetëse të vendosur të Ukrainës dhe liberale, kryediplomate të BE-së, duke e pasuar Josep Borrellin në këtë pozitë. Tani ajo ka nevojë për mbështetjen e liderëve të BE-së dhe Von der Leyen do të duhet të përballet me një votim të fshehtë në Parlamentin Europian.

“Nga këndvështrimi im, këto propozime përbëjnë një formacion të mirë dhe janë vendime të qarta për një të ardhme të mirë europiane”, iu tha Scholz ligjvënësve në Berlin përpara një samiti të BE-së të enjten dhe të premten.

Scholz tha se ai shpreson shumë që në këtë samit të ketë dakordim për postet kryesore të bllokut. “Ne nuk mund ta përballojmë një ngërç në këto kohë të vështira; qytetarët tanë nuk presin debat, por punë të shpejtë në institucionet europiane”, shtoi ai.

Qëndrimi i tij është në kontrast me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, e cila tha se marrëveshja dukej se injoronte dëshirat e votuesve në zgjedhjet europiane muajin e kaluar, të cilat prodhuan mbështetje të fortë për partitë e djathta.