Kaka beson se Paqueta ka një të ardhme të ndritur te Milani

Ish futbollisti brazilian i Milanit, Ricardo Kaka ka lavdëruar blerjen e re të rosonerëve, bashkëkombasin e tij Paquetan, por ka tentuar të largojë presionin nga talenti 21 vjeçar.

Drejtori gjeneral i Milanit, Leonardo, zbuloi se 7 herë kampionët e Europës kanë arritur akordin me Flamengon për Paquetan, me fantazistin e ri që pritet të vijë në Milano në janar.

Milani mposhti konkurrencën e Barcelonës, PSG-së dhe Liverpoolit duke siguruar shërbimet e Paquetës për 35 milionë euro, ndërsa një tjetër futbollist brazilian që ka shkruar historinë e Milanit ka refuzar të bëjë krahasime lidhur me blerjen e re të milanezëve.

“Ai është futbollist me një të ardhme të ndritur. Paqueta është ftuar edhe nga kombëtarja braziliane por më mirë për të është që të mos bëhen krahasime. Kam parë shumë të tilla ditëve të fundit, si me mua ashtu edhe me Paton, Ronaldinhon dhe Rivaldon. Na duhet t’i shmangim këto lloj krahasimesh në mënyrë që Paqueta të jetë i qetë”, përfundoi Kaka.