Ka mbetur vetëm zyrtarizimi, Mirlind Daku tek ekipi nga Rusia për 1,2 milion euro

Sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, është lojtar i ri i skuadrës së elitës së Rusisë, Rubin Kazan. Sipas mediave të afërta me klubin nga Republika e Tatarstani, Daku tashmë ka firmosur me Rubin Kazanin, ndërsa ka mbetur vetëm të prezantohet në faqen zyrtare të klubit.

Ai është transferuar nga klubi kroat, Osijek, ndërsa Rubin Kazanit i ka kushtuar 1,2 milion euro.

Sipas sajtit “tatar-inform.ru”, Osijeku ka kërkuar 1,5 milion euro për ta liruar Dakun. Kazani fillimisht ka ofruar një milion euro dhe është arritur marrëveshja për 1,2 milion euro.

Daku është përforcimi i tretë i Rubin Kazanit për edicionin e ri. Deri më tani, skuadra e kampionatit rus ka angazhuar edhe dy mbrojtës.

Mediumi tataras ka shkruar se 15 për qind e transferimit, përkatësisht 180 mijë euro, do t’i takojnë Llapit, ekipit të dikurshëm të Dakut. Llapi kishte ruajtur një përqindje të kartonit të Dakut kur ishte pajtuar ta lironte për tek Osijeku.

Daku ka luajtur pak për Osijekun, që megjithatë do të përfitojë shifër goxha të mirë nga shitja e 25-vjeçarit. Daku luajti huazim te Kukësi, Ballkani dhe te Mura në elitën e Sllovenisë. Te Ballkani dhe te Mura është shquar me numrin e madh të golave të shënuar.

Në edicionin e fundit në elitën e Sllovenisë shënoi 19 gola në 33 paraqitje. I kishte edhe dy asistime.

Rubin Kazani luan ndeshjet në stadiumin me kapacitet prej 45 mijë ulëseve. Rubin Kazani kthehet në elitën e Rusisë, pas një edicioni të kaluar në kategorinë e dytë. Vjet u largua nga elita pas 19 edicionesh rresht në nivelin më të lartë të futbollit rus.

Futbolli rus nuk është në momentin më të mirë. Klubet dhe përfaqësueset ruse e kanë të ndaluar paraqitjen në garat evropiane për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Kjo ka bërë që shumë lojtarë të huaj të largohen nga Rusia. Por ende ka shumë të huaj në këtë vend. Në kampionatin rus paraqitet prej shumë vjetësh edhe Bernard Berisha. Ai është pjesë e Akhmat Groznyt.

Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërsa me pasaportë të Kosovës është shumë e vështirë hyrja në Rusi. Për më tepër, Rusia punon vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës.

Mirlind Daku ka pesë paraqitje për Kosovën A dhe 12 të tjera për Kosovën U21. Është raportuar se së fundi Daku është pajisur me pasaportë të Shqipërisë.