Joao Felix është kthyer në trendin e merkatos, teksa klubet më të mëdha janë vënë pas tij, por klauzola prej 120 milionë euro i step të gjithë.

Juventusi është klubi që ka filluar negocimin konkret, teksa oferta e parë e tyre prej 70 milionë euro u refuzua, por falë marrëdhënies që drejtori sportiv, Fabio Paratici ka me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, synon që ta mbyllë kalimin e tij në Torino për 100 mln euro.

Gjithsesi nga Anglia vijnë lajme të tjera. Kuotat e basteve në gadishullin britanik kanë pësuar një lëvizje të bujshme.

19-vjeçari portugez është në radarin e Wolverthampton, një skuadër e dorës së dytë në Angli, por që së fundi ka bërë investime serioze dhe të fuqishme tek të rinjtë.

“Felix kërkohet nga klubet më të mëdha në botë, por Wolves duket se ka avantazh gjithmonë kur bën pazar në Portugali”, tha George Elek, ekspert i një kompanie bastesh në Angli.

Kuotat që Wolves të marrë Felix ishin 8/1, por tani janë përgjysmuar në 4/1 (e përkthyer me koeficient i bie nga 5 në 2.5).

Gjithsesi Juventusi mbetet më vend të parë me kuotat 3/1, ndërsa PSG e Manchester United në 5/1. Ndërkohë që City është në 8/1, Chelsea në 12/1, Arsenal në 14/1 dhe Liverpool në 16/1.

Kujtojmë që Wolves ka bërë një goditje të bujshme këtë muaj, pasi paguan klauzolën prej 38 milionë euro të Raul Jimenez nga Benfica, pasi shkëlqeu me formën e tij në huazimin tek “ujqërit” këtë sezon.

Ndërkohë që janë në bisedime me Marseille për të marrë Morgan Sanson për 42 milionë euro. Këtë sezon Wolves renditet në vend të shtatë në Premier League dhe po synojnë të bëjnë blerje të bujshme tek lojtarët e rinj, me qëllimin për t’i shitur gjithmonë e më shtrenjtë pasi t’i promovojnë.