Vuk Jeremiq

Jeremiq: Serbia s’do pranohej në BE edhe sikur ta njihte Kosovën

Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, ka thënë se duhet “të refuzohet me vendosmëri” oferta e Bashkimit Evropian, e cila i kërkon Serbisë që ta njohë de facto Kosovën, dhe e cila, siç pretendon ai, i ofron Beogradit “vazhdim të përkohshëm të iluzionit” se do të bëhet anëtare e Unionit.

“Serbia nuk do të pranohej në BE edhe nëse do ta njihte Kosovën dhe për këtë arsye duhet të refuzojë planin franko-gjerman për pavarësinë e Kosovës dhe të ripërcaktojë marrëdhëniet e saj me BE-në në mënyrë që të përpiqet për anëtarësim në Zonën Ekonomike Evropiane (ZEE), e cila është e arritshme dhe nuk kërkon njohjen e ‘Kosovës’”, ka thënë Jeremiq, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Ish-kryediplomati serb ka theksuar se partia që ai e udhëheqë është e vetmja që mbron refuzimin e planit evropian, tanimë Marrëveshje Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe këtë e bënë “jo vetëm në nivelin e parullave, por ofron një politikë të qartë dhe hapa konkretë për ta arritur këtë pa dëmtuar në të njëjtën kohë marrëdhëniet ekonomike me BE”.

“Serbia duhet të kërkojë ripërcaktimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe ndarjen e integrimit politik dhe ekonomik. Integrimi ekonomik – po, por integrimi politik – jo, sepse ata po na kërkojnë të njohim Kosovën, gjë që është e papranueshme”, shtoi.

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten e 27 tetorit.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten në Bruksel.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut [të propozuar nga BE] dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhej aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan ata.

Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Charles Michel

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiqit, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Draft-statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.