Jep dorëheqje kryetari i Federatës bullgare, pas thirrjeve raciste ndaj Anglisë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mikhailov, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, ashtu siç iu kërkua nga Kryeministri i Bullgarisë, pas thirrjeve raciste nga tifozët bullgarë drejt futbollistëve me ngjyrë të Anglisë gjatë ndeshjes së mbrëmshme në Sofje, në kuadër të EURO 2020.

Përballja e djeshme në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.

Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla. Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëvë fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.

Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 0-6 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit. Megjithatë, tani pritet që Bullgaria të përballet me një dënim nga UEFA për incidentet e ndeshjes së mbrëmshme, për të cilat Federata e Futbollit e Bullgarisë nuk ka bërë shumë t’i parandalojë.

Presidenti i Federatës bullgare, Mihaylov, tha dje se ai i konsideronte akuzat ofenduese dhe poshtëruese, duke shtuar se kritikat në drejtim të tifozëve bullgarë ishin të padrejta. Edhe trajneri i ekipit kombëtar, Krasimir Balakov, më vonë pretendoi se nuk kishte dëgjuar asnjë thirrje raciste nga ana e tifozëve bullgarë dhe shtoi se kishin qenë tifozët e Anglisë ata që kishin shfaqur “sjellje të pahijshme”.

Megjithatë, pastaj ndërhyri kryeministri i Bullgarisë, Borisov, i cili ka kërkuar ndryshim, duke e paralajmëruar Federatën e Futbollit vendore se nuk do të marrë asnjë financim deri në momentin kur disa figura të caktuara të largohen nga hierarkia.

Ministri i Sportit i Bullgarisë, Krasen Kralev, tha: “Para pak kohësh, kryeministri më thirri urgjentisht. Ju e dini se gjatë katër vjetëve të fundit, qeveria ka bërë shumë për ta zhvilluar futbollin bullgar”.

“Por, pas ngjarjeve të fundit, duke e pasur parasysh situatën e plotë të futbollit, kryeministri më ka urdhëruar që nga sot t’i suspendojë të gjitha lidhjet me Federatën, përfshirë këtu ato financiare, deri në dorëheqjen e Borislav Mihaylovit”.

Tani është bërë e ditur se Presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë e ka përmbushur kërkesën e Kryeministrit të vendit dhe së shpejti do të bëhet i ditur edhe zëvendësuesi i tij.

loading…