Ja si u arrit marrëveshja Rugova-Millosheviq për arsimin në vitin 1996

Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka dhënë një version të ri të zhvillimeve para arritjes së marrëveshjes mes Rugovës dhe diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq, për arsimin në Kosovë, në vitin 1996.

“Bisedat për arsimin në Kosovë kanë qenë derivat i Konferencës për ish-Jugosllavinë të mbajtur në Londër në vitin 1992. Edhe aty ka qenë Kosova, ndonëse prapë në margjina”, ka thënë Hamiti në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7.

“Është krijuar një grup i veçantë edhe për këtë punë dhe pastaj nisën bisedat, sepse çështja e arsimit ishte çështja më urgjente për shqiptarët…”, ka treguar ai.

“Bisedat zgjatën shumë vite dhe në fund të tij doli kjo marrëveshje, të cilën Rugova e ka nënshkruar me jo shumë entuziazëm”, është shprehur Hamiti.

Sipas Hamitit, kjo “ka qenë praktikisht një iniciativë e bashkësisë ndërkombëtarë, të cilën e kanë shtyrë shumë amerikanët”.

“Ndërmjetës për arritjen e kësaj marrëveshje ka qenë organizata Sant’Egidio e Romës, e Vatikanit më saktë, ndërsa pas këtij procesi kanë qenë amerikanët”, ka theksuar ai.

“Ka qenë insistim i madh i tyre, madje në udhëtimet e tij në Prishtinë, jo rrallë, udhëheqësi i delegacionit, me ekipin e vet, në Prishtinë ka ardhur me avion charter të paguar nga SHBA’ja”, ka deklaruar Hamiti.