Ja sa personave iu është ndaluar ngasja e automjeteve nga Policia në vitin 2018

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar për numrin e kundërvajtjeve gjatë vitit të lamë pas.

Numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve për vitin 2018, ka qenë 400.095, ndërsa kundërshtimet ndaj kundërvajtjeve kanë qenë 1791, përcjell Ballkani.info.

Tutje, Policia e Kosovës përmes raportit njofton edhe për numrin e personave të cilëve iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik.

Gjatë vitit 2018, Policia e Kosovës iu ka ndaluar vozitjen gjithes 6485 personave, ku dy prej tyre iu është ndaluar qarkullimi nga një deri në dy vjet, ndërsa të tjerëve me më pak muaj.

Përmes komunikatës, Policia njofton edhe për masat e ndërmarra gjatë vitit të kaluar në aspektin e parandalimit, vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit.

Masat e ndërmarra nga Policia sipas komunikatës (pa ndërhyrje):

Në aspektin e parandalimit, vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit, Policia ka ndërmarrë këto masa:

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Lëvizni të sigurt në trafik”. Përmes njësive të trafikut dhe stacioneve policore, janë shpërndarë fletëpalosje tek pjesëmarrësit në trafik. Gjithashtu projekti është promovuar edhe në rrejte sociale dhe media, përfshirë këtu edhe ligjëratat dhe diskutimet në institucione shkollore.

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Për një vit më të sigurt në trafik”. Projekti për qëllim ka pasur vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, duke përfshirë diasporën dhe shtetasit e huaj. Shpërndarja e fletëpalosjeve është bërë në të gjitha pikat kufitare dhe në tërë territorin e vendit.

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Përqendrohu në ngasje! ”. Projekti për qëllim ka pasur vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht shoferëve. Shpërndarja e fletëpalosjeve është bërë në të gjitha pikat kufitare dhe në tërë territorin e vendit.

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Të sigurt në rrugë gjatë dimrit”, duke shpërndarë fletëpalosje për pjesëmarrësit në trafikun rrugor, si dhe nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe AMCK e njëjta është shpërndarë edhe në Qendrat e Kontrolleve Teknike dhe në disa nga pikat e furnizimit me karburante dhe pikave që furnizojnë me goma, i cili projekt ka pasur për qëllim ngritjen e vetëdijesimit të shoferëve në përdorim të pajisjeve dimërore.

Është vazhduar me kontaktet, diskutimet, trajnimet dhe ligjëratat e rregullta në institucione shkollore lidhur me sigurinë në trafik.

Përveç urdhrave dhe planeve operative, janë ndërmarrë masa shtesë duke krijuar TASK FORCË për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor

Po ashtu në kuadër të aktiviteteve parandaluese PK-ja ka angazhuar edhe patrullime policore me VETURA CIVILE si dhe njësi policore që operojnë me DRON.

Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë dhe njëherit të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që t’iu përmbahen dispozitave ligjore, të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarësit në rrugë, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.