Ismet Munishi sqaron deklaratat për ‘hilet’ në futbollin kosovar

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka sqaruar një deklaratë të tij për padrejtësi në futbollin kosovar duke thënë se dukuritë e tilla negative duhet të luftohen, pasi që futbolli i Kosovës tani ndodhet në një udhëkryq.

Para derbit të mesjavës kundër Dritës në Suharekë, trajneri i Ballkanit Ismet Munishi e dha një prononcim për Gazetën Express ku tha se Drita është një skuadër e fortë si brenda në fushë, ashtu edhe jashtë saj, përderisa bëri thirrje edhe për referim korrekt.

Kjo deklaratë e Munishit i shtoi pretendimet se ndeshjet në kampionatin kosovar po vendosen jashtë fushës së lojës, përderisa pjesa e parë e sezonit kishte pasur thirrje të shumta për referim më cilësor dhe akuza për kurdisje të ndeshjeve.

“Unë gjithmonë i referohet opinionit futbolldashës. Kjo deklaratë e imja s’është që ka bërë bëjë të madhe se ja çfarë tha Ismeti sepse ne e dimë realitetin e futbollit të Kosovës. Në njëfarë mënyrë, nëse unë bëj thirrje për korrektësi, nuk po shoh pse duhet të shqetësohen opinioni dhe skuadrat e tjera”, tha Munishi.

“Në asnjë moment nuk dua ta akuzoj asnjë skuadër sepse, së pari, nuk është korrekte ta akuzosh dikë dhe, së dyti, ne jemi rivalë. Por që ne jemi futbolli Kosovës e jo i Suedisë, këtë e dimë shumë mirë. Ne duhet t’i luftojmë dukuritë negative që ndodhin në futbollin e Kosovës”.

“Unë them që ka pasur, nuk e di a ka, do ta shohim, por duhet t’i luftojmë këto dukuri sepse ky është momenti i fundit. Ne gjendemi në një udhëkryq, duhet të fokusohemi në punë. Nëse një skuadër na mposht me kualitet, ne e dimë ku duhet të përmirësohemi për sezonin e ardhshëm”.

“Por, nëse një skuadër na mposht me gjëra të tjera, ne nuk e dimë ku duhet të përmirësohemi. Pastaj ndoshta detyrohemi edhe ne të mendojmë keq. Nëse referimi është i mirë, atëherë ndeshjet do t’i kenë nga nëntë mijë shijues si kundër Prishtinës”.