Isha, presidentja që pëlqehet nga FIFA, por jo edhe në vendlindje

Edhe para se të bëhej një nga femrat e pakta që kanë drejtuar ndonjëherë një federatë kombëtare të futbollit, Isha Johansen kishte gdhendur një profil të shquar në këtë sport. Shumë kohë përpara se të futej në qeverisjen e këtij sporti në vendlindje, Johansen hyri në skenën e futbollit të Sierra Leones pas themelimit të klubit që ofronte pajisje për fëmijët e rrugëve në këmbim të premtimit të tyre se do të shkonin në shkollë.

Klubi i saj u rrit aq shumë, saqë tërhoqi një vizitë të David Beckhamit dhe pastaj arriti të futej në ligën më të lartë të vendit, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë, Johansen u rrit shpejt me qeverisjen e futbollit si një grua e rrallë që kishte plane afatgjate për këtë sport. Me imazhin publik të hartuar me kujdes dhe shkollimin në gjuhën angleze, ajo ishte mjaft e bindur politikisht se shumë shpejt do të mundë të matej me Gianni Infantinon, por edhe yjtë e futbollit si Cristiano Ronaldo.

“Gjithmonë kam pasur besim të madh në vete. Falë punës dhe besimit, unë kam arritur të bëhem e njohur dhe e respektuar në FIFA, por një gjë të tillë nuk mund të them edhe për vendlindjen time”, shprehet Johansen, e cila prej vitit 2013 mban postin e presidentes në Federatën e Futbollit të Sierra Leones.

Në Sierra Leone, Johansen është përballur me polemika para se të bëhej presidente e federatës. Jeta e saj në futboll ka qenë një përvojë krejtësisht tjetër dhe tani ajo po përballet me shumëçka.

Johansen po akuzohet për një rast korrupsioni dhe duhet të paraqitet në gjykatën e kryeqytetit të Sierra Leones. Qeveria e këtij shteti ka akuzuar atë për shpërdorim të fondeve, ndonëse një gjë të tillë ajo kategorikisht e mohon.