Ish-polici vret gruan në prani të djalit, plumbat kapin edhe dy persona në rrugë

Policia ka dhënë informacionin mbi krimin e rëndë të ndodhur para Gjykatës së Elbasanit.

Plumbat e armës së ish-efektivit të policisë që vranë bashkëshorten e tij kanë plagosur edhe një avokat dhe një kalimtar të rastit.

Ora News mëson se vrasja ka ndodhur në sy të njërit prej fëmijëve të çiftit Buzo.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.