Ish mbrojtësi i Liverpoolit kritikon ashpër lojtarët e PSG-së, “Duhet të turpërohen para familjes”
Ish mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher është irrituar me qasjen e futbollistëve të Paris Saint Germainit në ballafaqimin e mbrëmshëm me “The Reds”.
Carragher deklaroi se lojtarët e PSG-së duhet të ndihen të turpëruar para familjarëve të tyre për sjelljet antisportive.
Edhe trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ishte i frustruar në përfundim të ndeshjes të humbur 2-1 duke kritikuar gjyqtarin Marciniak që sipas gjermanit i bëri futbollistët e tij të dukeshin si kasapë.
“Ishte shumë frustruese sidomos me Neymarin. Jemi duke folur për njërin prej futbollistëve më të mirë në botë, por ta shikoje atë ishte turpëruese. Nëse vazhdon kështu do të kujtohet për këto rrëzimet në tokë para kualitetit të tij të madh si futbollist. Të lë shije të hidhur kjo humbje dhe unë nuk kam aspak simpati për futbollistët e PSG-së. Edhe kapiteni dhe qendërmbrojtësi i tyre, Thiago Silva rrëzohej dhe mbante fytyrën. Ata duhet të turpërohen, nuk e di se si do të kthehen në shtëpi dhe të flasin me familjarët e tyre”, tha Carragher.
Liverpooli duhet ta mposht Napolin me dy gola diferencë në mënyrë që të kualifikohet për në fazën tjetër të Champions Leagues.