Ish gjyqtari shqiptar thotë se pritja që iu bë Anglisë në Kosovë ishte e ekzagjeruar

Ish gjyqtari i njohur nga Shqipëria, Lorenc Jemini, e ka quajtur në “Procesi Sportiv” mikpritjen që Kosova ia bëri Anglisë në Prishtinë si të ekzagjeruar.

Ai tha se as xhudistja kampione e botës, Majlinda Kelmendi, nuk është pritur në këtë mënyrë.

Megjithatë, për këtë pritje Kosova mori vëmendje në mediumet më të mëdha botërore, të cilat e quajtën Kosovën shembull për vendet e tjera, në këtë kohë kur thirrjet raciste i kanë mbizotëruar ballinat e gazetave.

“Mikpritja e Kosovës ishte pak e ekzagjeruar. As kampionen e botës, Majlinda Kelmendin, nuk e kanë pritur kështu. Unë mendoj që ne fillimisht duhet ta respektojmë veten”, deklaroi Jemini.

“Çfarë ka bërë Anglia për Kosovën që t’i bëhet kjo mikpritje?”, shtoi ish gjyqtari i shquar, duke treguar në këtë rast që në temat jashtë futbollit ka limite të theksuara të njohurive rreth të kaluarës së kombit shqiptar.

Ish prokurori i njohur shqiptar, Shkëlqim Hajdari, është paraqitur me fanellën e Kosovës në emision.

Ai kishte veshur fanellën e kaltër të “Dardanëve” me numrin 9 dhe emrin e Fadil Vokrrit.

Hajdari vlerësoi lartë paraqitjet e Kosovës, me shpresën që një ditë do të kemi një kombëtare.

“Stadiumi i Shqipërisë një ditë na duhet më i madh sepse mund të jemi më shumë, shpresoj se do të kemi një kombëtare. Nuk do të ketë asnjë pengesë ligjore, sepse kombëtaret s’janë organizime politike por sportive”, deklaroi fillimisht Hajdari.

“Kush do të jetë kryetar? Atë problem e zgjedhim lehtë. Shikoni si i ka mbledhur Fadil Vokrri këta djemë të Kosova. Kjo do të thotë se ka ende njerëz që e duan kombëtaren”, shtoi ai.

Duke folur për kampanjën kualifikuese të Kosovës, Hajdari theksoi që futbollistët e Kosovës kanë një lidhje të madhe me tifozët në tribuna.

“I kam parë tri ndeshje të Kosovës. Dashuria dhe lidhja e tifozëve me futbollistët në fushë është shumë e madhe. Kosova nuk ka yje, por luajnë grup, japin maksimumin për shtetin dhe rezultatet janë pozitive”, u shpreh Hajdari.

“Fadil Vokrri i ka mbledhur këta djemë nëpër shtëpi. Me emrin e tij të madh ka lobuar në gjithë Evropën dhe e ka antarësuar Kosovën në UEFA dhe FIFA. Fadili duhet të jetë i kënaqur atje ku është tani”, theksoi ish prokurori.

Hajdari tha se mikpritja e Kosovës ndaj Anglisë ishte gjëja më e vogël që mund të bënin shqiptarët për atë që ka bërë Britania e Madhe për kombin shqiptar.