Interi ndalet me barazim dramatik nga Sassuolo, i humb shpresat për titull

Interi është ndalur nga Sassuolo me barazim 3:3 në një ndeshje dramatike të mërkurën, që praktikisht i lë zikaltrit jashtë garës për titull në Serie A.

Interi e kishte fitoren në dorë dy herë në dhjetë minutat e fundit të takimit, por Sassuolo u rikthye dy herë për ta barazuar rezultatin, përfshirë në minutën e 90-të për rezultatin final 3:3 në Giuseppe Meazza.

Ky barazim nënkupton se skuadra e Antonio Contes tani ngel tetë pikë prapa liderit Juventus, 10 javë para përfundimit të kampionatit.

Sassuolo tregoi qëllimi i tij për udhëtimin në Milano, pasi kaloi në epërsi qysh në minutën e 4-të përmes Francesco Caputo.

Në pesë minutat e fundit të pjesës së parë, zikaltrit e përmbysën rezultatin, megjithatë.

Romelu Lukaku nga penalltia në minutën e 41-të dhe Cristiano Biraghi në minutën e 45-të e kaluan Interin në epërsi për herë të parë në këtë takim.

Më pak se 10 minuta para fundit, Domenico Berardi e barazoi rezultatin në 2:2 duke shënuar nga penalltia.

Interi kaloi në epërsi për herë të dytë kur Borja Valero e futi topin në rrjetë nga afërsia.

Dhe kur zikaltrit menduan se më në fund e kishin siguruar fitoren, Giangiacomo Magnani mendoi ndryshe dhe e realizoi golin e barazimit për vizitorët.