Instituti Gap: Marrja online e dokumenteve të gjendjes civile kursen qytetarët, do t’i varfëroj komunat

Që nga mundësia e marrjes online të dokumenteve të gjendjes civile nga platforma E-Kosova, nga qershori deri në fund të dhjetorit të vitit 2022, qytetarët kanë tërhequr 238,015 dokumente të gjendjes civile.

Sipas një analize të Institutit Gap, numri më i madh i këtyre dokumenteve është tërhequr nga qytetarët e Prishtinës, pastaj Prizrenit, Ferizajt, Gjilanit dhe Fushë Kosovës. Njëkohësisht, sipas kalkulimeve, qytetarëve pritet ti kursejnë mbi 1.5 milionë euro në vit nga tërheqja online e dokumenteve të gjendjes civile nga platforma e-Kosova. Ngjashëm, komunat priten t’i ulin shpenzimet e tyrë të stafit.

Kjo mundësi online, përveç që ndikon në kursimet financiare dhe të kohës për qytetarët, njëherazi mundëson marrjen e shërbimeve edhe jashtë orarit të punës së administratës, të shtunave dhe të dielave, shmang radhët pranë sporteleve të komunave dhe u mundëson komunave që të zvogëlojnë numrin e punonjësve për shërbime administrative.

Mirëpo, dilema që e ka shoqëruar nismën e uljes së barrës administrative është nëse ky proces do të shoqërohet me humbje buxhetore, veçmas nga komunat, thuhet në raport.

“Sipas kalkulimeve të Institutit GAP, të hyrat e 38 komunave në vitin 2022 nga lëshimi i dokumenteve dhe ofrimi i shërbimeve nga sektori i gjendjes civile ishin rreth 2.3 milonë euro, kurse shpenzimet rreth 2.2 milionë euro. Të hyrat totale ishin më të larta se shpenzimet kryesisht për shkak të komunave më të mëdha”, theksohet nga Instituti Gap.

Tutje u shtua se raporti mes të hyrave dhe shpenzimeve pritet të jetë më i zhdrejtë nga viti 2023 e tutje, në dëm të të hyrave të komunave, me rritjen e numrit të dokumenteve të tërhequra nga qytetarët përmes e-Kosovës.

Më 9 qershor 2022, Qeveria lansoi pesë shërbime të reja elektronike të cilat mund të nxirren përmes portalit e-Kosova: certifikata e lindjes, ekstrakti i lindjes, certifikata e martesës, certifikata e vdekjes dhe ekstrakti për anëtar të familjes.