Inspekcioni

​Inspekcioni i Prishtinës paralajmëron ndryshim të metodës së gjobitjes për taksistët ilegal

Inspekcioni i Komunës së Prishtinës gjatë vitit 2023, për mos respektim të rregullave, ka shqiptuar rreth një mijë gjoba në vlerë rreth 150 mijë euro. Numri më i madh i gjobave kanë përfshirë segmentin e komunikacionit, taksitë ilegal, si dhe gastronomia. Kurse, paralajmërohet se do t ketë vazhdimisht aksione në rrënimin e objekteve pa leje.

Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në këtë komunë, Florian Dushi, ka thënë për KosovaPress, gjatë vitit që lamë pas ka pasur shumë aksione në rrënimin e objekteve në hapësirat publike dhe se ky fillimvit ka që numri i objekteve pa leje të ketë rënë dukshëm.

Dushi theksoi se gjatë muajve në vazhdim, në listë të pritjes, janë edhe disa nga objekte pa leje që priten të rrënohen.

“Nëse e shohim në vlerë totale të gjobave të shqiptuara si vlerë totale, është një vlerë rreth 150, 000 euro gjoba të shqiptuara në kryeqytetet që sjellë në një numër rreth 1000 gjoba në të gjitha fushat. .. Mund t’iu them që aksioneve për lirimin e hapësirave publike këtë vit nuk kemi pasur, por planifikojmë t’i kemi disa, nën asistimin e policisë, ndërsa rrënimet për shkak të kushteve atmosferike nuk kemi pas mundësi që këto ditë të kemi por ka në listë të pritjes disa objekte të cilat presin të rrënohen ose ndërhyhet në ato. .. Në anën tjetër, ne presim që të kemi në vazhdimësi aksione të tilla edhe pse mund t’iu them që si rezultat i angazhimit tonë mbi të gjitha si rezultat i vetëdijes, numri i objekteve pa leje ka rënë dukshëm, nuk ka më tutje ndërtim të objekteve kolektive që fillojnë pa leje sepse kompanitë po kujdesen për imazhin e tyre, po respektojnë kushtet e vendosura”, tha Dushi.

Ndërkaq, sa i përket çështjes për taksitë ilegalë, Dushi tha se situata me taksitë nuk është edhe aq e lehtë. Ai tha se taksive ilegale nuk po ua ndalin punën e tyre as gjobat e shqiptuara.

Sipas tij, në vazhdimësi pritet që të ndërrojë metoda e gjobitjes, së pari të rritet çmimi i gjobës e pastaj të bëhet edhe konfiskimi i tabelave ose i veturës me të cilën ata punojnë.

“Megjithatë është një angazhim permanent i inspektoratit por edhe një insistim i atyre, përkundër faktit që ne i gjobisim, ata vazhdojnë të rikthehen në komunikacion, prandaj ne jemi në pritje, sipas informacioneve që kemi është duke u shqyrtuar ligji për transportin publik. Prandaj ne shohim një shpresë për shkak se aty parashihen masa më të rënda ndëshkuese të cila konsiderojmë do të bëjnë që të mendojnë që të kyçën dhe të funksionojnë ilegalisht në kryeqytet, sepse duket përfitimet e tyre janë përtej gjobave dhe shpesh herë kemi vërejt që ata paguajnë gjobat, vijnë marrin tabelat e konfiskuara dhe menjëherë të njëjtën ditë rastisim për të dytën herë në komunikacion. Nëse rritjen gjobat dhe masa të tjera ndëshkuese, sikur që bie fjala t’i konfiskohen tabelat për një kohë më të gjatë ose edhe vet mjeti me të cilin operojnë, atëherë në këtë formë do të evitojmë mundësin që ata të jenë më shpesh në komunikacion”, u shpreh Dushi.

Dushi shtoi se problemi i vazhdueshëm me të cilën po hasin si institucion, janë barnatoret të cilat nuk po respektojnë orarin e kujdestarisë.

Ai tha se ka raste kur shumë barnatore punojnë në ditë te festave, si dhe pas përfundimit të orarit të përcaktuar ato vazhdojnë të jenë të hapura.

“Për befasinë time kemi pasur shumë problem me barnatore, duke konsideruar se është një nivel tjetër dhe ata do të jenë persona që do të respektojnë më tepër orarin e përcaktuar. .. Kur kemi filluar aplikimin, kemi vërejtur që në shumë raste nuk është respektuar rregullorja, kemi gjetur që pas orës 21:00, kanë vazhduar edhe ato që nuk kanë qenë kujdestare të punojnë, ka pas raste që gjatë ditëve të festave të punojnë edhe ato që është dashur të jenë të mbyllura, por gjitha këto i kemi inspektuar dhe mund t’iu them që gjobat janë shqiptuar edhe për barnatore”, potencoi Dushi.

VIDEO BONUS: Adresimi i plotë, i përkthyer në shqip, i Albin Kurtit në mbledhjen mbrëmshme të KS së OKB-së