Infermierët ngrisin kapacitetet për të drejtat dhe përgjegjësitë në punë

Me mbështetje të Fondit për Zhvillim të Komuniteteve (CDF), Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka filluar projektin për Edukim të Vazhdueshëm Profesional që ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të komunitetit infermieror dhe anëtarësisë së OIK në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në vendin e punës

Prishtinë, 25 maj 2021 – Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë (OIK) në mbështetje të Fondit për Zhvillim të Komuniteteve (CDF) ka filluar projektin për Edukim të Vazhdueshëm Profesional që ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të komunitetit infermieror dhe anëtarësisë së OIK në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në vendin e punës. Punëtoria ka filluar me një minut heshtje në nderim të infermierëve të vdekur gjatë pandemisë Covid 19.

Kryetari i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, Naser Rrustemi, duke folur për rëndësinë e këtij projekti, ka thënë se do të zgjasë në katër punëtori dhe dhjetë forume online, që do të caktohen në data të ndryshme. Kryetari i OIK-ut, ka folur edhe për kontriburin e infermierëve gjatë pandemisë Covid 19. Artan Binaku, nga Fondi për Zhvillim të Komuniteteve (CDF) ka shprehur kënaqësinë e tij që në një punëtori e tillë kanë gjetur mundësinë e përfshirjes një numër shumë i madh i punonjësve shëndetësorë. Ai po ashtu është shprehur se ky është një rast i mirë i mbështetjes së një organizimi me përfshirje kaq të madhe të komunitetit infermieror.

Muharrem Arifi, kryetar i Këshillit Drejtues të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka thënë se OIK përmes këtij projekti do të organizojë katër punëtori, dhjetë forume online, gjashtë sallone dhe një takim prmbyllës.

“Në këto aktivitete do të trajtohen tema rreth të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të drejtat në sistemin shëndetësor përfshirë cilësinë e shërbimeve shëndetësore, te drejtat e punëtorëve në vendet e tyre të punes, masat që ndërmerr OIK në rast të shkeljeve etike dhe profesionale nga anëtarët e saj dhe tema tjera të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve profesionale të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë”, ka thënë kryesuesi i KD të OIK-ut.

Ai ka falëmnderuar Fondin per Zhvillim Komunitar, CDF për mbështetje të projektit si dhe Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës për mbështetje logjistike. Ndryshe, punëtoria e parë ka përfshirë 300 aplikuesit e parë, të cilët kanë ndjekur programe që ndërlidhen me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe të drejtat në sistemin shëndetësor, referuar nga profesor Hysni Bajrami.

Programet janë të akredituara nga Komisioni për EVP i OIK, me ç’rast ligjëruesit do të përfitojnë nga 8 pikë akredituese kurse anëtarët dëgjues do të çertifikohen me nga 6 pikë akredituese.