Ministria e Drejtësisië

IKD-ja e shqetësuar që Kuvendi s’i adresoi disa rekomandime në Projektligjin e Kodit Penal dhe të Procedurës

Në seancën e së enjtes, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjet për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Me miratimin e tyre, Kuvendi ka miratuar në tërësi edhe amendamentet e propozuara nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në shumë prej këtyre amendamenteve janë marrë për bazë rekomandimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për heqjen e disa dispozitave nga këto projektligje, përfshirë këtu, heqjen e paraburgimit automatik, zbutjen e dënimit, publikimin e aktgjykimit për dhunuesit dhe regjistrin e qasshëm për publikun.

IKD thotë se në tetor të vitit 2022, përmes një analize të publikuar, pati paraqitur problemet kushtetuese të Projektligjet për Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, që ishin miratuar fillimisht me 12 tetor 2022, nga Qeveria e Kosovës.

“Në këtë analizë IKD kishte gjetur se dy projektligjet kanë për synim përcaktimin e dispozitave për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në luftimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje. Mirëpo, përkundër qëllimit tejet legjitim për të luftuar këto dukuri serioze kriminale, IKD kishte gjetur se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria nuk kishin ndjekur rrugën adekuate për ta bërë këtë gjë. Kjo pasi të dy këto Projektligje siç ishin miratuar në Qeveri, përmbanin dispozita me shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë IKD-ja.

Si dispozitë në kundërshtim me Kushtetutën nga IKD, ishte konsideruar caktimi i paraburgimit automatik në rastet e dhunimit dhe dhunës në familje në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Sipas IKD-së, caktimi automatik i paraburgimit ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriu dhe se po të mbetej kjo dispozitë atëherë krijohej potencial i lartë i keqpërdorimit përmes raportimeve të pa vërteta, madje edhe ndaj grave, mbrojtja e të cilave synohet përmes këtyre Projektligjeve.

Mirëpo, IKD-ja thotë se kjo dispozitë nga Komisioni për Legjislacion me amendament ishte rekomanduar që të hiqet nga Projektligji.

IKD-ja kishte gjetur po ashtu se publikimi i aktgjykimeve në rastet e dhunës në familje krijon kundër-efekt për viktimat e dhunës në familje. “Veçanërisht në një shoqëri të vogël si Kosova, viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët lehtësisht mund të identifikoheshin. Shkelja e konfidencialitetit në këtë rast do të shkonte në kundërshtim me interesat e viktimave të dhunës në familje. Kuvendi në seancën e së enjtes e ka votuar Projektligjin pa këtë dispozitë ligjore”, ka thënë IKD.

Çështje tjetër që IKD thotë se e kishte konsideruar problematike, ishte edhe dispozita lidhur me zbutjen e dënimit për rastet e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje. “Edhe kjo dispozitë ishte larguar në Komision e më pastaj Kuvendi e kishte votuar amendamentin ku parashihej heqja e këtij neni”.

Në anën tjetër, si dispozitë e pandryshuar ka mbetur çështja e afatit të gjykimit.

“Sipas Projektligjit Penal, në rastet e dhunimit dhe dhunës në familje, shqyrtimi gjyqësor duhet të përfundojë brenda 60 ditëve, respektivisht 90 ditëve. Një problematikë në raport me shkurtimin e afateve të përfundimit të shqyrtimit gjyqësor sipas analizës së IKD-së qëndron në faktin se nuk është lejuar mundësia e zgjatjes së afatit për përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, në rrethanat e përcaktuara me ligj. Edhe në rastet e dhunimit dhe dhunës në familje mund të paraqiten situata kur rastet janë të komplikuara dhe kërkohet afat shtesë për gjykimin e tyre. Në këto situata, Projekt kodi i Procedurës Penale nuk ka lënë mundësi për vazhdimin e afatit të hetimeve, e cila mundësi është e lejuar me rastin e gjykimit të të gjitha veprave të tjera penale”, shprehet IKD.

Tutje, Instituti thotë se në Plotësim dhe Ndryshimin e Projektligjit të Kodit Penal të miratuar nga Kuvendi është shtuar edhe vepra penale e dhunës ndaj grave në jetën publike, ku është përcaktuar se: “Kushdo që me qëllim të frikësimit ose detyrimit për të vepruar kundër vullnetit të tyre, me dashje ushtron dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, në formë të drejtpërdrejtë apo indirekte, ndaj grave që ushtrojnë funksione publike ose kandidate për ushtrimin e funksioneve publike dënohet me gjobë dhe me burgim nga gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet”.

Sipas analizës së IKD-së, kriminalizimi i kësaj vepre penale i ka disa probleme esenciale dhe konceptuale.

“Aspekti i parë është fakti se kjo dispozitë paraqet mbrojtje të pabarabartë penale për palët e dëmtuara. Kështu, subjektet të cilat mbrohen nga kjo dispozitë penale janë vetëm nga njëra gjini. Kështu nuk është situata tek dhunimi, sulmi seksual, dhuna në familje e të tjera, ku subjekte të mbrojtura janë të dy (2) gjinitë. Përcaktimi i gjinisë si element i veprës penale në këtë rast është në kundërshtim me barazinë para ligjit. IKD kishte gjetur se inkriminimi i kësaj vepre penale nuk është çështje e njohur në vendet evropiane. Ky lloj inkriminimi, gjenezën e ka në shtetet e Amerikës Latine, ku Bolivia ka qenë shteti i parë që në vitin 2012 e ka inkriminuar këtë vepër penale. Edhe konteksti i këtyre shteteve, është i ndryshëm nga rasti i Kosovës dhe kështu nuk legjitimohet ky lloj inkriminimi”, tha IKD-ja.

Më tej, IKD-ja thotë se Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimi i Kodit Penal i miratuar nga Kuvendi ka përcaktuar se në rastet e dhunimit dhe dhunës në familje aplikohen dënime plotësuese të cilat nuk janë në harmoni me synimet e dënimeve plotësuese.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se përmes dënimeve plotësuese si ndalimi i blerjes në ankande, aplikimit si investitor strategjik, punësimit në sektorin publik dhe drejtimit të automjetit, “projektligjet kanë ndjekur një qasje represive ndaj të dënuarve për këto raste, e cila qasje nuk njihet në të drejtën penale bashkëkohore”.

“Kjo qasje represive është në kundërshtim me qëllimet e dënimit. Përmes këtyre dënimeve, rritet potenciali për recidivizëm, potencial ky i kundërt me qëllimet e dënimit. Këto dënime plotësuese kanë mbetur në plotësim/ndryshimin e ligjit të miratuar, mirëpo nga projektligji fillestar i miratuar nga Qeveria janë shtuar vetëm periudhat kohore të kohëzgjatjes së këtyre dënimeve. Ndërsa, dënimi plotësues i ndalimit të drejtimit të automjetit në çdo lloj të kategorisë, është bërë në rastet kur personi është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit dhe në kohën kur kryerësi ishte në ushtrimin e profesionit të vozitësit”, deklaroi IKD-ja.

Instituti thotë se adresimi i disa prej komenteve të dala nga analiza e tyre për Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale konsiderohet si pozitive, por shton se i sheh me mëdyshje dispozitat e mbetura në plotësim/ndryshimet e miratuar nga Kuvendi e të cilat kanë qenë objekt i analizës nga IKD.