I akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve, Dokoviq deklarohet i pafajshëm

 I akuzuari për krime luftë ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99, Millorad Dokoviq u deklarua i pafajshëm të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Një deklarim të tillë se është i pafajshëm, i akuzuari Millorad Dokoviq, e bëri pasi aktakuza u lexua nga prokurori Ilir Morina.

“Nuk jam fajtor”, tha i akuzuari Dokoviq.

Dokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake Serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzorë, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të dhjetëra civilëve shqiptare. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Pas deklarimit të të akuzuarit, mbrojtësi i tij avokati Vasilije Arsiq deklaroi se qëndron pranë deklaratës së tij lidhur me pafajësinë.

Tutje, avokati Arsiq e luti gjykatën që në kuptim të nenin 402 paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale që në lidhje me masën e paraburgimit ta ketë parasysh propozimin e  mbrojtjes që të pandehurit t’ia shqiptojë një masë tjetër më të butë sepse i pandehuri veç se 13 muaj është në paraburgim,

Ai propozoi që gjykata të vendosë në lidhje me sigurimin e prezencës të pandehurit Dokoviq të njëjtit t’i shqiptojë masën e arrestit shtëpiak ku për të mbrojtja tha se është e gatshme edhe në garancinë shtesë për sigurimin e  të pandehurit në shqyrtimin gjyqësor me dhënien e garancionit prej 20 mijë eurosh që i pandehuri nuk do ta lëshojë vendbanimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me deklarimin e avokatit Arsiq, i akuzuari Dokoviq tha se në tërësi pajtohet, sipas tij avokati i ka thënë të gjitha, ka dhënë edhe garancinë dhe të gjitha tjerat ku sipas të njëjtit, i akuzuari deri në përfundim të procedurës gjyqësore nuk do të lëshojë vendbanimin në Vitomiricë, Komuna e Pejës.

Në anën tjetër, prokurori Morina e kundërshtoi një propozim të tillë duke kërkuar që i njëjti të refuzohet, me arsyetimin se kjo çështja e paraburgimit është vendosur dhe ka dy ditë që kanë pranuar vendimin e  Apelit lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, nuk ka pushu asnjë rrethanë qoftë ligjore qoftë faktike që të ndërrohet masa e sigurisë për sigurinë e të pandehurit në këtë procedurë.

Kurse, sa i përket dorëzanisë, beson që gjykata është e informuar sepse ka një vendim të Apelit që në raste të tilla kur vepra penale është serioze dhe dënimi është i rënd, dorëzania nuk aplikohet si masë e sigurisë së të pandehurit në seancë.

Kurse, avokati i dytë mbrojtës i të akuzuarit Dokoviq, avokati Dejan Vasiq lidhur me pretendimet e prokurorit Morina tha se nuk janë të sakta, pasi sipas tij gjykata e ka obligim nga neni 171 paragrafi 2 që gjithmonë të zbatojë një masë më të butë kur me atë mund të arrihet vazhdimi i procedurës së papenguar.

Pas deklarimeve të palëve, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj përmes aktvendimit e refuzojë propozimin e mbrojtjes për ndryshimin e masës së paraburgimit.

Tutje, gjyqtari Kurtaj tha se nëse mbrojtja dhe i akuzuari e shohin të arsyeshme që t’i drejtohen gjykatës me kërkesë me shkrim për ndryshimin e masës së paraburgimit në ndonjë masë më të lehtë duke pas mundësin që kërkesën ta arsyetojë, gjykata do t’i shqyrtojë të gjitha dhe do të bjerë vendim lidhur me kërkesë për masën e paraburgimit.

Në këto rrethana, gjykatësi Kurtaj të njëjtin dhe avokatët e tij i njoftoi se brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjnë kundërshtim ndaj provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023 thuhet se i pandehuri Dokoviq gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth Regjionit të Pejës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, si pjesëtarë i forcave policore dhe ushtarake Serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzorë, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të dhjetëra civilëve shqiptare si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptare, që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt, me ç’ rast ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafi 1 shkronjat (a), (b) dhe (c) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë.

Sipas pikës a të dispozitivit thuhet se i pandehuri Dokoviq në atë mënyrë që në mëngjesin e datës 07 majit 1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në të cilat bënte pjesë edhe i pandehuri, fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensivë ushtarako-policore ashtu që forcat serbe të ndara në tre grupe e sulmuan fshatin nga tre drejtime, nga Jug-lindja e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatrat Osoja dhe Nabergjan kishin hyrë njësitet speciale të ushtrisë serbe.

Tutje në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovice kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë gjashtë civile të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G, M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosen në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur;

Në pikën b të dispozitivit thuhet se në datën dhe vendin e cekur në pikën (a) të këtij dispozitivi, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në të cilat bënte pjesë edhe i pandehuri, bastisen, rrahën, maltretuan dhe arrestuan me dhjetëra shqiptarë civil, ashtu që fillimisht i arrestuan rreth 40 persona dhe i dërguan në një garazhe (shupë) që gjendej pranë nënstacionit policorë në Ozdrim, e quajtura “shupa e Shemit” dhe aty i mbajtën rreth tre ditë në kushte mizore në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare, duke mos ju ofruar ushqim e as ujë për pije, duke i torturuar fizikisht dhe duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore ashtu që pas tre ditëve në orët e mbrëmjes 12 persona i kanë liruar.

Sipas aktakuzës tutje thuhet se pjesën tjetër të ndaluar rreth 28 persona, në tre grupe të ndara i kanë transportuar në Pejë në shtëpi private ku ka qenë e vendosur komanda e policisë serbe dhe aty i morën në pyetje duke i torturuar, trajtuar ne mënyrë mizore dhe çnjerëzore, rrahur e maltretuar, e më pastaj i dërguan si të burgosur në Burgun e Pejës, nga aty ne burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar torturat fizike dhe psikike nga ana e oficerët korrektues duke i mbajtur në kushte skllavërie pa ushqim, higjienë dhe pa kushte gjumi, të cilët u liruan pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar,

Ndërsa në pikën c të dispozitivit thuhet se në datën dhe vendin e cekur në pikën (a) të këtij dispozitivi, forcat policore dhe ushtarake serbe, i dëbuan nga shtëpitë e tyre banoret e fshatit, kryesisht të familjeve Gashi, Krasniqi, Shala por edhe tjerë të strehuar tek ato familje, kryesisht të moshuar, të gjinisë femërore dhe fëmijë, duke i grumbulluar në mesin e Lagjes së “Gashve”‘ në fshatin Ozdrim e më pastaj i depërtuan duke i urdhëruar që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa pas zbrazjes së fshatit, filluan plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e mbi 62 shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mire se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 te Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligji në fuqi në kohen e kryerjes së veprës penale. /Betimi për Drejtësi/