Trajneri i Romës

Humbi derbin dhe u eliminua nga Kupa, Mourinho nuk përmbahet: E vendosi VAR-i në Milano

Roma i ka dhënë lamtumirën Kupës së Italisë pasi është mundur dhe eliminuar në çerekfinale nga Lacio. Sfida u mbyll me shifrat 1-0 për lacialët, falë një penalltie që u shkaktua nga Huijsen dhe të cilën e transformoi në gol Zakanji.

Zhoze Murinjo, pas sfidës ishte dukshëm i inatosur me gjyqtarët, edhe pse skuadra e tij në të vërtetë prodhoi shumë pak raste për të shënuar.

“Pësojmë një gol që në këto ndeshje, kush shënon i pari është shumë e rëndësishme, janë ndeshje të ekuilibruara. Nuk dua të them që nuk ishte penallti, dua të them se është një penallti e futbollit modern dhe është më keq se 10-20 vite më parë. Ai aksion jashtë zonës nuk është as faull, aty ku është dënimi maksimal, gjyqtari thotë nuk është penallti. Pastaj Irrati në VAR, që është në Milano apo pranë Firencës, nuk e di se ku, vendos ai që është penallti dhe e vendos ai derbin, vendos një çerekfinale të Kupës së Italisë.

Dua të them në mënyrë të trishtë që është një penallti e futbollit modern, në disa raste e kemi marrë edhe ne, por sot është e vështirë të jesh një mbrojtës. Janë penalti që ndikojnë ndeshjen.

Ka ndodhur edhe vitin e kaluar me Orsaton, edhe nëse jep 20 minuta shtesë, e dimë se si do të përfundojë rezultati. Sot, nga 7 u bënë 9, por është njëlloj pasi pastaj vërshëllen këndej e andej, është inteligjent pasi mbron veten por nuk lejon të luajmë. Mendoj se thashë praktikisht gjithçka”, ishin mënyra se si Murinjo shfryu dufin pas ndeshjes para kamerave.