Ambasadori amerikan

Hovenier për Asociacionin: S’është krahinë autonome brenda Kosovës

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, drafti i pranuar nga Kosova për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, dhe se “nuk krijon autoritete ekzekutive apo kompetenca për Asociacionin”.

“Kjo nuk është krahinë autonome brenda Kosovës”, theksoi Hovenier në një intervistë Atlantic Council.

Hovenier i ka thënë gazetares Ilva Tare, se nuk ka kohë për të humbur për zbatimin e Asociacionit, teksa ka lexuar mes rreshtave deklaratën e Presidentit të Francës, Kryeministres të Italisë dhe Kancelarit të Gjermanisë, pas takimeve që patën me kryeministrin kosovar Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku përdorën fjalë si “urgjente, e shpejtë”.

Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars), si dhe draftin e Asociacionit, madje këtë ua ka thënë edhe liderëve evropianë, mirëpo për Hovenier mjafton angazhimi në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, pasi që vlerëson se pjesa tjetër është shpërqendrim.

“Serbia ka hyrë në këto obligime dhe është përkushtuar për ta bërë këtë, ashtu si edhe Kosova. Dhe ne mendojmë se ka një shpërqendrim në këtë çështje të nënshkrimeve në vend që të ecim përpara për të zbatuar dhe ekzekutuar nga të dyja palët”, ka potencuar Hovenier.

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten e 27 tetorit.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut [të propozuar nga BE] dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhej aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan ata.

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiç-it, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Draft-statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.