Houston “shkatërron” San Antonion në derbin teksan, Lakers i falen mbretit James
San Antonio Spurs nuk është njësoj si në vitet e kaluara, dhe kjo po vihet re qartë këtë sezon.
Skuadra e Greg Popovich u mund në derbin teksan 105-136 kundër Houston Rockets, të udhëhequr nga James Harden me 23 pikë dhe 10 asiste, dhe Clint Capela me 27 pikë e 12 topa në tabelë. Pika e dobët e Spurs në këtë kampionat është mbrojtja, ndërkohë 20 pikët dhe 6 reboundet e LaMarcus Aldrige ishin krejtësisht të pamjaftueshme në këtë takim.
Los Angeles Lakers i ndërpret serinë pozitive Dallas Mavericks, duke i mposhtur në “Staples Center” 114-103. I zakonshmi LeBron James ishte më i miri për të tijët me 28 pikë të shënuara, ndërsa tek Dallas, shkëlqeu Harrison Barnes me 29 pikë. Kjo është fitorja e 13-të për Lakers në 22 sfida të luajtura deri më tani.
Sukses edhe për Denver Nuggets, të cilët mposhtën me shumë vështirësi Portland Trail Blazers 113-112. Double-double i Paul Millsap me 22 pikë e 10 topa në tabelë, por dhe 27 pikë nga Gary Harris, ndihmuan Nuggets në këtë ndeshje mjaft delikate. Për Portland, nuk ishin të mjaftueshme 33 pikët e CJ McCollum, ndërkohë që Damian Lillard shënoi 15 pikë dhe dha 8 assist për shokët e skuadrës.
Philadelphia 76ers duket në formën më të mirë, pas ardhjes së Jimmy Butler. Me një lojë mjaft të mirë skuadre, ku 8 lojtarë shënuan mbi 10 pikë, Philly arriti të mundë 98-123 Washington Wizards. Në këtë mënyrë, ata arritën fitoren e 16-të në 24 ndeshje, duke u renditur të tretët në Konferencën e Lindjes. Për Wizards, që duken me një fytyrë tjetër nga kampionati i kaluar, më i miri ishte Bradley Beal me 19 pikë të shënuara.