Në sezonin e kaluar

Hoeness zbulon se paraqitja e Bernat ndaj Sevillas i garantoi largimin spanjollit

Uli Hoeness ka thënë se Bayerni mori vendim ta shesh mbrojtësin spanjoll Juan Bernat pas performancës zhgënjyese të tij në ndeshjën ndaj Sevillas në çerekfinale të Champions Leagues në edicionin e kaluar.

Bernat u largua nga Bayerni këtë verë drejt PSG-së, pas 4 viteve të kaluara me bavarezët gjatë të cilave koleksionoi 113 ndeshje.

Presidenti i Bayernit, Uli Hoeness ka zbuluar se shitja e ish mbrojtësit të Valencias u vendos në sfidën përballë Sevillas, ku Bernat u zëvendësua pas 45 minutave të para për shkak të paraqitjes së dobët.

“Kur luajtëm ndaj Sevillas, Bernat ishte pothuajse fajtori i vetëm që rrezikoi të na eliminonte në atë fazë të kompeticionit. Atë ditë vendosëm se duhet ta shesim sepse për pak na kushtoi me eliminim”, u shpreh Hoeness.

Bayerni ia doli ta kalojë Sevillan, por në gjysmëfinale u eliminua nga Real Madridi, të cilët më pas edhe e fituan Champions Leaguen, të 13-tën në histori.