Humbja shokuese në shtëpi e Manchester Cityt fundjavën e kaluar përballë Crystal Palacet, e zgjeroi avantazhin e Liverpoolit në 4 pikë, por ish trajneri i “The Reds”, Roy Hodgson insiston se do të ndodhin edhe shumë befasi të tjera në vazhdim.

Liverpooli është skuadra e vetme që nuk është mposhtur këtë sezon në Premier League ndërsa të besuarit e Jurgen Klopp kërkojnë lavdinë që mungon prej vitit 1990.

Megjithatë për Hodgson që aktualisht është trajner i Crystal Palacet, lëshim i pikëve është i pa shmangshëm edhe për Liverpoolin.

“Nuk mendoj se Pep Guardiola do të jetë i shqetësuar për disavantazhin prej 4 pikëve kur kanë mbetur të zhvillohen edhe 20 ndeshje. Një prej tyre është edhe përballja direkte me Liverpoolin, por edhe pa atë ndeshje gjasat janë të mëdha që Liverpooli të gabojë me ndonjë kundërshtar tjetër. Dikush do t’i mposht ata përkundër që nuk do të jenë favorit, rruga është ende e gjatë dhe diku do të ketë dëshpërim edhe për ta”, theksoi Hodgson.

“The Reds” brenda 9 ditëve do t’i zhvillojnë 3 ndeshje, teksa fillimisht të mërkurën në “Anfield” pret Newcastlen, për të pasuar ballafaqimi me Arsenalin pas 3 ditëve sërish në shtëpi, gjersa kjo periudhë e ngarkuar merr fund me super sfidën ndaj Manchester Cityt në “Etihad” me 3 janar.