I ndodhur në qendër të vëmendjes për shkak të largimit nga Milani, Gonzalo Higuain përforcon edhe më shumë këto zëra derisa sot nuk ka qenë në fotografinë që i gjithë grupi i futbollistëve “Rosonerë” e kanë bërë me autoritet sportive saudite.

Dje në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Super Kupës Italiane kundër Juventusit, trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso siguroi se me 90% të gjasave Higuain do të jetë në fushë ndaj ish skuadrës së tij.
Por sot kanë qarkulluar lajme se gjendja shëndetësore e 31 vjeçarit është përkeqësuar si shkak i një gripi, megjithatë ky arsyetim nuk është se ka bindur opinionin sportiv në Itali, të cilët mendojnë se ky është vetëm një arsyetim para largimit të “El Pipitas” te Chelsea ku do të gjejë ish trajnerin te Napoli, Maurizio Sarri.
Milani tashmë ka nisur të mendojë për pasuesin e Higuainit, me sulmuesin polak të Genoas, Kryzstof Piatek që kryeson listën e drejtorit sportiv, Leonardos.







