Hetuesi i Shërbimit Inteligjent Rus (FSB) që kishte hetuar gazetarin Ivan Safranov gradohet dhe shpërblehet me pozitë të lartë

Hetuesi i FSB-së ruse, Alexander Chaban, i cili kishte hetuar gazetarin rus, Ivan Safronov, hetim i cili kishte rezultuar me arrestimin e Safronov dhe ngritjen e aktakuzës për tradhti të lartë, është graduar në gradën e kolonelit dhe është ngritur në pozitën, hetues i lartë i FSB-së.

Për gradimin dhe promovimin e Alexander Chaban, mediat gjatë ditës i ka njoftuar avokati i Safronov, Ivan Pavlov, i cili gradimin dhe promovimin e Chaban i paraqet si shpërblim, duke aluduar në rastin Safronov. Pavlov thotë se që nga tani Chaban është kolonel dhe hetues i lartë dhe do të merret me hetimin e çështjeve të rëndësisë së veçantë.

Bazuar në hetimin e Alexander Chaban, Safranov ishte arrestuar me 7 korrik 2020 dhe në aktakuzën fillestare shkruante se ai ishte rekrutuar nga shërbime të huaja, por nuk e precizonte se nga kush ishte rekrutuar.

Pas ngritjes së dyshimeve për mënyrën se si ishte arrestuar Safronov dhe kritikave të mëdha nga mediat dhe opinioni publik, për mënyrën se si ishte ndërtuar akuza nga FSB, ku edhe pas arrestimit, Safronov nuk është njoftuar me aktakuzën e plotë, hetuesi i Shërbimit inteligjent rus-FSB, Aleksander Chaban, kishte njoftuar Safronovin, se kush është personi i cili kinse e kishte rekrutuar.

Bazuar në informacionet e FSB-së ruse thuhet se Safronovin, në vitin 2012 e kishte rekrutuar gazetari çek, Martin Larish, i cili punon për shërbimin inteligjent çek.

Ne një intervistë për “BBC”, gazetarit çek, Martin Larish, thotë se është marrëzi të thuhet se ai punon për shërbimet inteligjente çeke dhe se gazetarin rus, Ivan Safronov e njeh që nga viti 2012 kur kishte shkuar në Rusi si korrespodent i “Lidove Noviny”. Larish thotë se Safronovin e cilëson si një gazetarë profesionist dhe me të kishte komunikim profesional.

Ivan Safronov po mbahet në paraburgim që nga data 7 korrik 2020 dhe në seancën e 2 marsit Gjykata e Lefortovos i kishte vazhduar paraburgimi deri me 7 maj. Avokati Pavlov thotë se gjatë seancës për zgjatjen e paraburgimit, prokuroria kishte paraqitur një dëshmitarë të mbrojtur me pseudonimin Lander.

Ivan Safronov në gjykatë

Gjatë viteve të fundit në Rusin që udhëhiqet nga Putin, vërehet një rritje e arrestimeve të nëpunësve civil, shkencëtarëve dhe gazetarëve nën akuzën për tradhti. Sipas një hulumtimi në Rusi, gjatë 20 viteve të fundit 100 persona janë dënuar për tradhti dhe spiunazh, 278 persona për zbulim të sekreteve shtetërore ndërsa 5 persona për qasje të paligjshme në sekretet shtetërore. Sipas hulumtimit shtetasit rus gjykohen sipas nenit për tradhti të lartë, ndërsa shtetasit e huaj gjykohen sipas nenit për spiunazh.