Kontribuuesi i madh i çështjes kombëtare, Hektor Beqiri ka reaguar pasi që zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se pas urdhrit të Trupit Gjykues, më nuk do të mbështetet në dëshmitë e dhjetë dëshmitarëve.
“Zvarritjet në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së janë padrejtësi. Është lajm i mirë vendimi i sotshëm për largimin e disa dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë dhe pranimin e disa deklaratave vetëm me shkrim”, ka shkruar Beqiri.
Sipas tij, ky vendim e shkurton procesin gjyqësor përafërsisht për rreth 3 muaj.
“Shpresëdhënës është edhe paralajmërimi tjetër për ndryshime të reja në muajin tetor. Viti i ardhshëm do të jetë viti i rikthimit të madh të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre. Po ashtu, shpresoj shumë që shkallët e tjera të drejtësisë do t’i shpallin të pafajshëm të gjithë çlirimtarët! Këto procese janë maratonë dhe vetëm me qëndrueshmëri mund të përballohen. Pa u ligështuar asnjëherë, me përkrahje të parezervë, me të gjithë e për të gjithë, kam qenë prej pasluftës dhe do të jem gjithnjë në mbështetje të të gjithë çlirimtarëve!”, ka shkruar Beqiri.







