Eden Hazard këmbëngul se është i përqendruar vetëm te Chelsea, pas koreve të tifozëve të West Ham, se ai ishte në rrugën drejt Real Madridit.

Përkrahësit e “Hammers” pretendojnë se lëvizja e belgut në “Santiago Bernabeu” është pothuajse një marrëveshje e bërë. gjë me të cilën i “thumbuan” blutë gjatë ndeshjes së të hënës, në “Stamford Bridge”.

Hazard zbuloi në shkurt se kishte marrë një vendim për të ardhmen e tij, por nuk deshi ta zbulojë se ku do ta shohim sezonin e ardhshëm.

Kur u pyet për koret e tifozëve të West Ham, Hazard i tha “Sky Sports”: “Ata e kanë gabim, sepse jam i përqendruar vetëm te Chelsea deri në fund të sezonit. Duam ta mbyllim kampionatin në katër vendet e para dhe të fitojmë Europa League. Ende kemi shumë për të bërë, pastaj do të shohim”.

Në fushë, Hazard bëri një paraqitje shumë të mirë. Dy golat e tij i siguruan fitoren Chelsea dhe vendin e tretë në Premier League, për herë të parë që nga dhjetori.

“Ne jemi në një moment të mirë, – shtoi Hazard. – Kemi fituar tri ndeshje radhazi. Për mentalitetin, është mirë të vazhdojmë kështu”.