Haxhiu: Nexhat Krasniqi dëmtoi buxhetin për miliona euro! Si do të veprojnë tash me ‘babën e tenderëve’ ministrja Haxhiu dhe Liburn Aliu? VIDEO

Në vitin 2018, në Kuvendin e Kosovës ishte shtruar për herë të parë një pyetje fondamentale që ka të bëjë me korrupsionin në Kosovës.

Aso kohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila nga sot është zyrtarisht ministre e Drejtësisë, e kishte pyetur publikisht ish ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn për emërimin e Nexhat Krasniqit në pozitën e Drejtorit të Prokurimit Publik në këtë ministri.

“Nexhat Krasniqi deri në vitin 2008 ka qenë i punësuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në cilësinë e drejtorit të Prokurimit. Gjatë punës në këtë ministri ka dhënë tendera kompanive të ndryshme në formë të kundërligjshme me çka e ka dëmtuar me miliona euro buxhetin e Kosovës. Në lidhje me këto afera korruptive, Gjykata Themelore e ka dënuar më 26 muaj burg efektiv për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare – bashkëkryeje. Pas apelimit në Gjykatën e Apelit, kjo Gjykatë ka marrë vendim që të pandehurit t’i shqiptohet dënimi më 1 vit e gjashtë muaj me kusht”, pati thënë Albulena Haxhiu në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore, Krasniqi është emëruar drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

“Në këtë periudhë, sekretari i Ministrinë së Infrastrukturës, Xhelal Bekteshi e ka suspenduar të pandehurin nga pozita në mbështetje të ligjit për shërbyesit civilë dhe ia ka ndaluar t’i afrohet zyrëve të prokurimit publik të kësaj ministrie. Edhe pse i dënuar me burgim, Nexhat Krasniqi në kundërshtim me ligjin për shërbyesit civilë më 2 mars të vitit 2018 është rikthyer sërish si drejtor i Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës edhe pse i dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Pyetja për ministrin Pal Lekaj është se pse kanë lejuar rikthimin sërish në pozitën e drejtorit të Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës personin që është dënuar me vendim nga Gjykata Themelore dhe është vërtetuar nga Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme, madje edhe Gjykata Kushtetuese”, kishte pyetur aso kohe Haxhiu, sot ministre e Drejtësisë.

Dhe meqë këto pyetje janë bërë publikisht dhe tashmë është e njohur edhe për publikun e gjerë afera e Nexhat Krasniqit, shtrohet pyetja se si do të veprojnë ministrat e Vetëvendosjes që menaxhojnë me dikasterët kryesore.

Në Ministrinë e Infrastrukturës, ku aktualisht punon Nexhat Krasniqi, i rikthyer në punë me vendim kontravers të sekretarit të kësaj ministrie, Izedin Bytyqi dhe të Këshillit të Pavarur për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, ministër është emëruar Liburn Aliu.

Liburn Aliu njihet si person që ka vendos rend dhe ligj në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës gjatë kohës sa e drejtonte këtë Drejtori.

Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Aliu si ministër jo vetëm për rastin e Nexhat Krasniqit, por edhe shumë afera korruptive që e kanë përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës. /Ballkani.info/