Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi ka marrë sot vendim për ta rikthyer në punë Nexhat Krasniqin, i njohur si “baba i tenderëve”.

Në vendimin që e ka siguruar Ballkani.info të datës së sotme 05.01.2021, thuhet se Plotësohet Ndryshimi i Vendimit dhe me këtë plotësohet vendimi i datës 05.01.2021 me numër 16.

Tutje në këtë vendim thuhet se Komisioni i caktuar me vendim ka për detyrë ta bëjë pranim dorëzimin e detyrës nga zëvendësuesja e caktuar, Blendiona Gegollaj tek Nexhat Krasniqi, bazuar në vendimin e datës 22.12.2020.

Me këtë rast është formuar edhe komisioni për pranim-dorëzimin e detyrës për Divizionin e Prokurimit me përbërje Jetmir Alaj kryetar, Shefqet Emerllahu dhe Mimoza Binaj, anëtar.

Të kujtojmë se Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme.

Prandaj, vendimi i sotëm është shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe vendimeve tjera.

Ballkani.info kishte raportuar ekskluzivisht për vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të datës 4 dhjetor 2020 të këtij përmes së cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019. E datës 7 shkurt të vitit 2019 e parashtruar nga Nexhat Krasniqi.

Me këtë vendim është anuluar vendimi 888 i datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjitshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.

Mirëpo, vendimi i KPMSHC-së është në kundërshtim me aktvendimin e Gjykatë Supreme, ku Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ballkani.info ka kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në punë të Krasniqit.

Në përgjigjet dërguar sot (e premte) në adresë të portalit tona, Gjykata Supreme bën të ditur se kjo Gjykatë nuk është në në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të N.K., pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës N.K.

“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK,  nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës  nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës.  Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Në pyetjen se a mundet KPMSHC-ja të merr vendim për kthimin në punë të personit të cilit me aktvendim të Gjykatës Supreme i është konfirmuar shkelja dhe është vërtetuar vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, në situatën e përshkruar në përgjigje të pyetjes së parë, Gjykata Supreme në përgjigjet dërguar sot Ballkani.info thotë kështu: “Nuk ka mundësi që KPMSHC në Kosovë të merr vendim tjetër për kthim të N.K. në punë”.

“Megjithatë, ne nuk dijmë nëse, N.K., ka paraqitur ankesë në KPMSHCK kundër vendimit të  Komisionit të lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, nr.01-888 datë 29.01.20219, lidhur me refuzimin e ankesës së tillë (të N.K.) me të cilin është lënë në fuqi vendimi i lartëpërmendur për ndërprerje të marrëdhënies së punës, dhe duke vepruar sipas kësaj ankese KPMSHCK ka mundur te nxjerrë vendimin tjetër për kthimin në punë të personit në fjalë, i cili vendim, natyrisht mund të sfidohet në procedura të mëtejshme gjyqësore, të parapara me ligj”, thekson Supremja.

Lidhur me pyetjen e tretë, se cili organ në Republikën e Kosovës është më i fuqishëm, Gjykata Supreme e Kosovës apo KPMSHC, Gjykata përgjigjet kështu: “Të dy këto institucione janë të fuqishme brenda kompetencave dhe autorizimeve te tyre ligjore, mirëpo, Gjykata Supreme, brenda autorizimeve dhe kompetencave të dhëna me Ligjin për Gjykatat në Kosovë, vendos në shkallë të fundit lidhur me ligjshmërinë edhe të vendimeve të lëshuara nga KPMSHC, në konteste pune”.