Shkeljet e rënda të sekretarit Izedin Bytyqi për kthimin në punë të “babës së tenderëve” DOKUMENT

Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi ka marrë vendim të  hënën e kësaj jave për ta rikthyer në punë Nexhat Krasniqin, i njohur si “baba i tenderëve”.

Në vendimin që e ka siguruar Ballkani.info të datës 05.01.2021, thuhet se Plotësohet Ndryshimi i Vendimit dhe me këtë plotësohet vendimi i datës 05.01.2021 me numër 16.

Tutje në këtë vendim thuhet se Komisioni i caktuar me vendim ka për detyrë ta bëjë pranim dorëzimin e detyrës nga zëvendësuesja e caktuar, Blendiona Gegollaj tek Nexhat Krasniqi, bazuar në vendimin e datës 22.12.2020.

Me këtë rast është formuar edhe komisioni për pranim-dorëzimin e detyrës për Divizionin e Prokurimit me përbërje Jetmir Alaj kryetar, Shefqet Emerllahu dhe Mimoza Binakaj, anëtar.

Të kujtojmë se Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme.

Prandaj, ky vendim është shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe vendimeve tjera.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mirëpo, përveç kthimit të kundërligjshëm në punë të Krasniqi, sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës me gjasë ka bërë edhe shkelje tjera.

Në vendimin e Bytyqit të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar të cilin e ka siguruar Ballkani.info thuhet se zbatohet vendimi A. Nr.778/2109 i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i datës 04.12.2020 dhe I pranuar nga Ministria e Infrastrukturës me datë 07.12.2020.

Në pikën dy të vendimit thuhet se Nexhat Krasniqi bazuar në vendimin e KPMSHCK-së, kthehet në vendin e punës si Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, me të gjitha të drejtat…

Në pikën tjetër thuhet se obligohet divizioni i Burimeve Njerëzorë Udhëheqësen aktuale të Divizionit të Prokurimit a sistmojë në një pozitë tjetër ekuivalente konform ligjislacionit në fuqi.

E kjo pika e fundit është kontestuese. Kontestuese pasi që me Ligjin e ri për Shërbyesit Civil nuk lejohet ndërrimi i pozitës dikujt që është punësuar me akt emërim.

Udhëheqësja e Divizionit të Prokurimit sipas dokumenteve të siguruara nga Ballkani.info, është emëruar në pozitën udhëheqëse e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me Akt Emërim.

Në nenin 54 të Ligjit thuhet se transferimi mund të bëhet në rast të mbylljes apo ristrukturimit:

“Nëse për shkak të suarjes apo ristrukturimit të institucionit, pozita e mëparshme e një nëpunësi civil shuhet, ai mund të transferohet në një pozitë tjetër të Shërbimit Civil të së njëjtës kategori”.

Përveç kësaj pike, edhe neni 52 e ndalon një gjë të tillë, pasi që Ballkani.info merr vesh se Udhëheqësja e Divizionit të Prokurimit është në pushim të lindjes. Pika 3.1 e nenit 52 thotë se nëpunësi covil mund të refuzojë transferimin në këto raste: kur gjendja shëndetësore, provuar me vërtetim mjekësor, e bën transferimin e pamundur.

Alarmohet Ministria e Drejtësisë, përmes Avokatit Shtetëror kërkon moskthimin në punë të ‘babës së tenderëve’

E çështja e Nexhat Krasniqit e ka shqetësuar edhe Ministrinë e Drejtësisë.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar veprim të menjëhershëm për këtë rast dhe ndërmarrjen e shpejt të masave, pasi që bëhet fjalë për personin e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm, si dhe vendimin e Gjykatës Supreme që konfirmon humbjen e vendit të punës.

Me të marrë këtë shqetësim, Ministria e Drejtësisë përmes Avokatit Shtetëror i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që të merret masa e përkohshme e sigurisë për Nexhat Krasniqin.

Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme. /Ballkani.info/