Cila është lidhja e ‘babës së tenderëve’ me kërcënuesin Valon Ademi, mikun e djalit të Isa Mustafës FOTO

Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi ka marrë sot vendim për ta rikthyer në punë Nexhat Krasniqin, i njohur si “baba i tenderëve”.

Në vendimin që e ka siguruar Ballkani.info të datës së sotme 05.01.2021, thuhet se Plotësohet Ndryshimi i Vendimit dhe me këtë plotësohet vendimi i datës 05.01.2021 me numër 16.

Tutje në këtë vendim thuhet se Komisioni i caktuar me vendim ka për detyrë ta bëjë pranim dorëzimin e detyrës nga zëvendësuesja e caktuar, Blendiona Gegollaj tek Nexhat Krasniqi, bazuar në vendimin e datës 22.12.2020.

Me këtë rast është formuar edhe komisioni për pranim-dorëzimin e detyrës për Divizionin e Prokurimit me përbërje Jetmir Alaj kryetar, Shefqet Emerllahu dhe Mimoza Binakaj, anëtar.

Të kujtojmë se Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme.

Prandaj, vendimi i sotëm është shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe vendimeve tjera.

Po cila është lidhja e Nexhat Krasniqit me Valdon Ademin, pronarin e kompanisë “Alko Impex”, miku i Lumir Abdixhikut dhe djalit të Isa Mustafës, Besnikut…

Vitin e kaluar Betim Reçica, ish sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, pati denoncuar në polici për kanosje biznesmenin Valon Ademi.

Përveç denoncimit në polici, Reçica për këtë veprim të shokut të ish shefit të tij, ish ministrit Lumir Abdixhiku, e pati njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti.

“Sot më datën 13/02/2020, në ora 8:11 të mëngjesit kam pranuar një kanosje të drejtpërdrejt përmes telefonit nga Valon Ademi pronar i kompanisë “2 A Group Sh.P.K, ku jam fyer dhe kam pranuar kërcënime me jetë për mua dhe familjen time”, thuhej në letrën që Reçica ia kishte dërguar  aso kohe ish kryeministrit Albin Kurti, ish ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut dhe ish drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt.

Sipas letrës së Reçicës, të cilën e pati siguruar Insajderit, zyrtarët e kësaj ministrie kishin pasur edhe më herët problemet të ngjashme.

E Ballkani.info e ka siguruar një fotografi në të cilën përpos Valon Ademit, shihen bashkë edhe djali i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, Besnik Mustafa dhe sekretari i Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi.

Ata shihen bashkë edhe me persona tjerë, të cilët janë miq të mirë, sepse se bashku janë duke shkuar ta shohin një ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë në futboll.

“Valon Ademi tash e një kohë njihet për veprimet e tij kërcënuese edhe ndaj ish-zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Besim Tahirit, në kohën e ministrit Lutfi Zharku. Rasti për këtë sulm dhe kanosje ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në zhvillim e sipër”, thuhej në shkresën zyrtare të Reçicës drejtuar policisë.

“Kërkoj nga të gjitha organet për luftimin e krimit dhe zbatimin e ligjshmërisë kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme për të ofruar ambient të qetë në zbatimin e detyrave zyrtare”, thuhej në shkresën e sekretarit Reçica.

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm në të cilin është përfshirë biznesmeni Ademi.

Ai pati bërë jehonë në publik me një kërcënim ndaj një zyrtari tjetër publik, edhe para tri viteve e gjysmë. Kishte kaluar 48 orë në burg për kanosje.

Më 20 korrik të vitit 2016 ishte denoncuar nga Besim Tahiri, atëkohë zyrtar i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Tahiri kishte pohuar se është kërcënuar nga Ademi për shkak të një tenderi të zgjerimit të rrugëve. Aty ishte shpallur fitues kompania “Al Trade”, dhe kishte dalë humbëse kompania “Alko Impex”, pronë e kërcënuesit Valon Ademi.

Ballkani.info po ashtu ka siguruar një fotografi të Valon Ademit me Nexhat Krasniqin, gjë që flet shumë për lidhjet e tyre dhe rikthimin e Krasniqit në ministrinë që drejtohet nga LDK-ja.

Lexoni edhe: