Haxhijaj pas shkarkimit: KOK-u po drejtohet si biznes privat

Shasivar Haxhijaj më nuk është sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Haxhijaj nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka njoftuar se është shkarkuar nga kjo pozitë pas katër vjet e gjysmë, në mënyrë të parregullt ligjërisht e proceduralisht me propozimin e kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqit.

Ai e ka cilësuar këtë vendim plotësisht të padrejt duke dhe ka shtuar se do ta dëmtoi shumë institucionin më të madh sportiv në vend. Madje, Haxhijaj ka thënë se KOK-u me ardhjen e Krasniqit në krye, ka filluar të drejtohet si një biznes privat.

“Sot, pas 4 vite e gjysmë, në mënyrë të pa rregullt ligjërisht e proceduralisht, me propozimin e Ismet Krasniqit aktualisht President i KOK, një pjesë e Bordit Ekzekutiv morri vendim për të më shkarkuar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, edhe përkundër asaj se unë kisha mandat. Ky vendim i padrejtë i cili u mor sonte pa asnjë arsyetim, thjeshtë për të përmbushur premtime elektorale, shoqërore e grupore, do ta dëmtoi rëndë Komitetin Olimpik të Kosovës. Sikur ky vendim t’ishte marrë për shkak të mos punës sime, për shkak të kryerjes keq të detyrave të mia, apo për shkak të mos respektimit dhe implementimit të vendimeve të Bordit dhe Asamblesë së KOK, mbase do të ishte normale te ndodh shkarkimi. Mirëpo, sot ndodhi diçka e pazakontë në shoqërinë tonë, shkarkohet një njeri nga detyra e tij pikërisht pse punën e ka kryer ashtu siç duhet, në mënyrë profesionale dhe pa gabime”, ka shkruar ndër të tjera Haxhijaj. “Me keqardhje, e me zemër të thyer më duhet të them se KOK ka filluar të drejtohet si një biznes privat, me shokë, shoqe e jarana, KOK falë një grupi të vogël që disa muaj ka filluar degradimin. Sporti i Kosovës nuk e meriton një gjë të tillë”.