Haradinaj për letrën e Bidenit dërguar Vuçiqit: Është diçka e mrekullueshme për Kosovën

Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj ka folur sonte edhe për letrën që presidenti i ri amerikan, Joe Biden, i ka dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku i kërkon njohjen e Kosovës.

“I jam mirënjohjes gjithmonë Amerikës dhe liderishpit të saj. Letra e Bidenit tregon se po shkojmë drejt mbylljes përfundimtare të këtij raporti me Serbinë. Ai menjëherë ka hyrë në temë dhe është konkrete ajo që po bën. Është diçka e mrekullueshme për Kosovën ajo letër dhe jemi me fat që e kemi Amerikën dhe presidentin Biden të cilin e kam njohur edhe personalisht”, ka thënë Haradinaj në emisionin “Debat” të RTK-së.

Më pas ai ka treguar për takimin që kishte 20 vjet me parë me Bidenin në SHBA.

“Pas fjalimit që pati aty në prezencën time dhe më nderoi, folëm bashkë dhe i tregova se do të kalojë nga uniforma ushtarake në jetën institucionale. Ai e vlerësoi këtë dhe tha se do të jetë diçka e mrekullueshme, por shtoi se do ta kem vështirë. Po ashtu me tha se i vjen mirë që do ta kem jetën civile dhe institucionale”, theksoi kreu i AAK-së.

Tutje Haradinaj tha se ai ka raporte të mira me të dyja kampet politike në SHBA. /Ballkani.info/