Pep Guardiola

Guardiola trondit City-n: Puna ime këtu ka përfunduar, këtu fitova gjithçka

Trajneri Pep Guardiola ka ende edhe një vit kontratë me Manchester City, por deklarata e tij para ndeshjes së sotme ndaj Everton në kampionat ka trembur të gjithë. Ai ka hapur “dritën jeshile” për t’u larguar nga kampionët e Evropës dhe botës në futboll. Spanjolli ndodhet në Manchester prej 8 sezonesh, ku sukseset nuk kanë munguar.

“Mbetet kënaqësia për të gjithë ato gjëra që kemi bërë, por realiteti tregon se ditë pas dite duhet të bëjmë të njëjta gjëra. Futbolli të jep disa gjëra e të merr disa të tjera”, tha Guardiola.

“Jam shumë i lumtur për gjithçka kemi bërë dhe arritur këtu në gjithë këto vite. Mendoj për 5 titujt kampionë në Angli, 4 Kupa Carabao, për FA Cup dhe trofetë e tjerë. Jam i lumtur që kam 5 trofetë e fituara këtë vit dhe të bëj një foto me to, por më pas kupton se sa shumë punë është pas këtyre sukseseve”, tha spanjolli.

“Është diçka e bukur, por njëkohësisht kam edhe ndjesinë se puna ime këtu ka përfunduar. E mendova këtë gjë pasi fituam Champions League, më pas fituam edhe Superkupën e Evropës dhe tani Botërorin për klube, dy trofe që nuk i kishim. Tani kemi gjithçka. Mendoj se është momenti për të blerë një libër dhe të nisim të rishkruajmë historinë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë”, u shpreh Guardiola.

Trajneri spanjoll ka një kontratë të majme me Manchester City, nga e cila përfiton 22.4 milionë euro në sezon, duke qenë trajneri i dytë më i paguar në botë pas Diego Simeone (34 milionë euro në sezon me Atletico Madrid). Duket se në Europë vetëm PSG ka për momentin mundësitë financiare për të paguar një trajner si ai. Ndoshta është momenti që të drejtojë një kombëtare. /Ballkani.info