Guardiola thotë se Aguero do ta mbyllte vitin nëse do të aktivizohej përballë Bournemouthit
Pep Guardiola ka zbuluar se Sergio Aguero mund të mungonte për pjesën e mbetur të këtij viti në rast se do të luante kundër Bournemouthit.
Pavarësisht mungesës së golashënuesit më të mirë në histori të klubit, Manchester City arriti të mposht Bournemouthin 3-1, me golat e Bernardo Silva, Sterling dhe Gundogan.
Sulmuesi argjentinas u ankua për një shqetësim, teksa me përballjen derbi me Chelsean fundjavën e ardhshme dhe me kalendarin e ngjeshur që fillon në Premier Leauge me ndeshjen e së martës ndaj Watfordit, Guardiola nuk ka dashur të rrezikojë.
“Pas ndeshjes me Lyonin nuk mendoja se doktorët do të më thonin se Aguero nuk mund të luajë. Nëse do të aktivizohej do të qëndronte jashtë për 5 apo 6 javë. Në këtë situatë dhe me kalendarin e ngarkuar ai nuk ishte i sigurtë. Do të ndodhë edhe në ndeshjet e ardhshme, lojtarët do të fillojnë të lodhen, për këtë arsye kemi një skuadër të gjerë dhe secili duhet të përfshihet. Do t’i zhvillojmë 9 ndeshje por aq do t’i luajnë edhe kundërshtarët tanë. Kështu që nuk duhet të ankohemi”, theksoi Guardiola.
Ish trajneri i Barcelonës dhe Bayernit tregoi se nuk e di nëse Aguero do të riaftësohet për sfidën e së martës në udhëtim te Watfordi, ndërsa refuzoi spekulimet se kishte thënë se kjo skuadër e Cityt është më e mirë se ajo e katalanasve dhe bavarezëve.
“Nuk ka kuptim të them se kjo skuadër është më e mirë se Barcelona ose Bayerni i asaj periudhe. Do ta analizojë karrierën time kur të jam pensionuar”, përfundoi trajneri i Manchester Cityt.