Raheem Sterling realizoi dy gola në fitoren e thellë 6-1 të Manchester Cityt ndaj Southamptonit, por Pep Guardiola mendon se sulmuesi anglez ka ende punë për të bërë në mënyrë që të cilësohet në rangun e më të mirëve në botë.

Sterling dje arriti në kuotën e 50 golave me fanellën e Cityt, ndërsa Guardiola pati lëvdata për paraqitjen e tij.

“Raheem është top lojtar, por është shumë i ri për t’u konsideruar njëri prejt lojtarëve më të mirë në botë. Për momentin ai është në formë të jashtëzakonshme, është i shpejtë, i mençur, ambicioz dhe vendimtar. Sterling pati një performancë të pabesueshme, me top dhe pa top. Sidoqoftë me futbollistë të ri si ai dhe Sane preferoj të mendoj se kanë hapësira për përmirësim. Nëse Sterling fokusohet në atë se çfarë i duhet për t’u bërë lojtar më i mirë, mund të arrijë çdo gjë”, tha Guardiola.

Trajneri katalanas nuk u nda i kënaqur me paraqitjen e mbrojtjes në ballafaqimin me Southamptonin, teksa vuri theksin te ndeshjet e Champions League ku nuk lejohen gabime të tilla shkaku i nivelit të lartë të garës.