Trajneri katalanas

Guardiola pret dënime nëse Manchester City i ka thyer rregullat financiare

Pep Guardiola mendon se Manchester City do të përballet me dënime nga UEFA nëse dëshmohen akuzat e raportuara nga revista gjermane “Der Spiegel”.

“Der Spiegel” është bazuar te dokumentet nga faqja e informatorëve “Football Leaks”, të cilët raportojnë se pronari i Manchester Cityt, Sheiku Mansour ka nënshkruar kontrata milionëshe sponsorizimi me kompani nga Abu Dhabi duke i përdorur pasuritë e pronarëve të tyre në mënyrë që të jenë në rregull me Fair Play Financiar të UEFA-s.

Një tjetër pretendim i “Football Leaks” është se institucioni më i lartë i futbollit në Europë (UEFA) i ka ndihmuar klubit anglez të mos dënohet për shpenzimet marramendëse që “Citizens” kishin bërë ndër vite.

Kjo çështje ishte temë edhe në konferencën për shtyp të Pep Guardiolas në sfidën e mesjavës ndaj Shakhtarit por edhe në atë për ndeshjen derbi me Manchester Unitedin.

“Nëse ata dëshirojnë që të minojnë atë që e kemi bërë prej vitesh, atëherë nuk ka problem. Ne te City i jetojmë jetët tona dhe proceset nëpër të cilat kalojmë duke mbetur në zemrat tona për tërë jetën. Pas kësaj opinionet janë opinione. Unë i besoj shumë klubit, pastaj nëse kemi bërë ndonjë gabim, do të dënohemi. FIFA apo UEFA duhet të tregojë nëse ka diçka gabim. Nëse është ashtu ne e pranojmë por unë e kam dëgjuar atë se çfarë më kanë thënë nga klubi dhe unë iu besoj shumë atyre”, deklaroi Guardiola.

Një ide që ka qarkulluar ditët e fundit është edhe krijimi i të ashtuquajturës “Super League”, që përfshin klubet më të forta evropiane. Guardiola zbuloi se nuk ka njohuri shumë për këtë ide ndërsa shtoi se vlerat e kampionateve nacionale janë shumë të rëndësishme.

Manchester City pret të dielën në “Etihad” rivalët nga qyteti Manchester United, me skuadrën e Guardiolas që ka shënuar nga 6 gola në dy takimet e fundit shtëpiake ndaj Southamptonit dhe Shakhtarit.