Manchester City fitoi titullin e dytë radhazi në Angli, një sukses i merituar nga skuadra e Pep Guardiolës.

Trajneri spanjoll shijoi një triumf të vështirë, pasi pati një garë të ashpër me Liverpoolin. Numri një i stolit duket se i ka lënë pas festimet dhe ka nisur të mendojë rindërtimin e skuadrës për sezonin e ri. 48-vjeçari po planfikon një shifër prej 200 milionë eurosh për të afruar disa futbollistë në merkato.

Emri i parë që shihet me interes është i Rodri Hernandezit nga Atletico Madridi. Mesfushori 22-vjeçar shihet si zëvendësuesi ideal i Fernandinhos. Braziliani ka një moshë të madhe, (34 vjeç) pavarësisht se rendimenti ka qenë i mirë. Spanjolli i Atleticos ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh që kampionët e Anglisë mund ta përdorin.

Nuk janë jashtë vëmendjes së Pep dhe dy talentët e Europës, Luka Jovic i Frankfurtit dhe Joao Felix i Benficës. “Qytetarët” kanë një garë me Realin për futbollistin e Bundesligës, 50 milionë paund janë gati për të paguar manjatët e Cityt.

Guardiola ka një dashuri të madhe për Leicesterin, pasi ka vënë në shënjestër dy futbollistët e “dhelprave”. Tekniku do të përforcohet në krahun e majtë të mbrojtjes, pasi ka hasur shumë probleme me karakterin e vështirë të Benjamin Mendyt. Ben Chilwell është i përzgjedhuri, ndërsa për qendrën e mbrojtjes pëlqehet Harry Maguire.