Pep Guardiola është duke e pritur vendimin e UEFA-së lidhur me rastin e Manchester Cityt teksa insistoi se ka besim te klubi.

Dje në mediat angleze qarkulluan lajme se Manchester City mund të mos marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Champions Leagues për shkak se i kishin shkelur rregullat e Fair Play Financiar (FFP).

Revista gjermane “Der Spiegel” muajin e kaluar publikoi disa shkrime të bazuara te dokumentet nga faqja e informatorëve “Football Leaks”, të cilët raportuan se pronari i Manchester Cityt, Sheiku Mansour ka nënshkruar kontrata milionëshe sponsorizimi me kompani nga Abu Dhabi duke i përdorur pasuritë e pronarëve të tyre në mënyrë që të jenë në rregull me Fair Play Financiar të UEFA-s.

Një tjetër pretendim i “Football Leaks” ishte se institucioni më i lartë i futbollit në Europë (UEFA) i ka ndihmuar klubit anglez të mos dënohet për shpenzimet marramendëse që “Citizens” kishin bërë ndër vite.

Klubi anglez hedhi poshtë këto akuza duke i cilësuar tentime të organizuara për të dëmtuar imazhin e Manchester Cityt.

Presidenti i UEFA-së, Alexander Ceferin ka treguar se shumë shpejt do të publikohen gjetjet lidhur me hetimin ndaj Manchester Cityt për shkeljen e rregullave të Fair Play Financiar, ndërsa Guardiola është i qetë sa i përket kësaj çështjeje.

“UEFA po merret me hetimet e tyre, nëse gjejnë diçka klubi do të lëshojë një deklaratë dhe kjo më pëlqen sepse e di se si do të përfundojë situata jonë. Kam besim te klubi jonë dhe në organzimin tonë. Nëse ka diçka, gabim do të na thonë”, tregoi Guardiola.

Trajneri katalanas zbuloi se nesër do të bëhet e ditur nëse Sergio Aguero do të jetë i gatshëm për derbin e fundjavës kundër Chelseat, gjersa siguroi se dëmtimi i Kompany nuk është serioz.