Gomonia me drogë në ujërat greke, reagon Policia e Shtetit: Skafistët janë shqiptarë

Lidhur me operacionin anti-drogë në ujërat territoriale greke reagon edhe Policia e Shtetit. Përmes një njoftimi për mediat, policia pranon se drejtuesit e gomones janë shtetas shqiptarë.

Njoftimi

“Në lidhje me një lajm të bërë publik në disa media, të cilat i janë referuar burimeve mediatike greke se dyshohet që dy gomone janë nisur nga Shqipëria dhe se Policia Greke është duke zhvilluar operacion, sqarojmë opinionin publik se:

Nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë.

Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm dhe shkëmbimi i informacionit nuk ka asnjë të dhënë që mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria.

Policia Greke gjatë operacionit ka kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit.

Policia e Shtetit vijon shkëmbimin e informacionit me homologët për dy shtetasit shqiptarë dhe është në ndjekje të operacionit nga homologët grekë”.

Nga aksioni në det, ku u kap një gomone me drogë, ndërsa vijon operacioni për bllokimin e tjetrës. Policia greke ka bërë të ditur se në gomonen e parë të bllokuar janë arrestuar 2 shqiptarë dhe një italian.

Aktualisht ata po merren në pyetje në Mitilini, ndërsa 10 skafe të policisë greke, 1 avion i FRONTEX dhe 1 helikopter po vijojnë aksionin për kapjen e gomones së dytë.

loading…