Guenaël Mettraux

Gjyqtari në Hagë “shërbehet” me dokument nga “Google” e jo nga ZPS-ja

Gjatë gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, një gjyqtar teksa ka marrë në pyetje dëshmitarin u zbulua se po përdorte materiale të gjetura në internet për të mbështetur pyetjet e tij ndaj tij.

Gjyqtari zviceran, Guenaël Mettraux, është kritikuar nga avokati i Rexhep Selimit, pasi sipas tij, dokumenti që ai paraqiti në gjykatë ishte gjetur në internet dhe nuk ishte përdorur nga prokuroria.

Në momentin kur gjyqtari paraqiti dokumentin e UNMIK-ut për procedurat e ndalimit të njerëzve nga ana e KFOR-it në vitin 1999, avokati Geoffrey Roberts kishte dyshime rreth origjinës së këtij dokumenti.

Ai ka kërkuar sqarime për të kuptuar nëse dokumenti ishte pjesë e provave të dorëzuara nga prokuroria, duke hedhur dyshime mbi statusin e tij në gjykatë.

Pjesë nga biseda e tyre: 

Gjyqtari: Unë kam përpara një dokument që mban datën 4 korrik 1999. Është dokument i UNMIK-ut, misioni në Kosovë, dhe ka titull një deklaratë lidhur me të drejtat e KFOR-it për të ndaluar dhe arrestuar persona. Këtu thuhet se kompetenca e KFOR-it për të ndaluar dhe arrestuar persona bazohej në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe veçanërisht është e përcaktuar në këtë rezolutë. Dëshmitar, a ju kujtohet ky dokumente që është nënshkruar nga Përfaqësuesi i Posaçëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Sergio Vaiero de Melo?

Dëshmitari: Po, më kujtohet, aty në fakt përshkruheni detyrat që do të kishte KFOR-i.

Gjyqtari: Deklarata kërkonte që KFOR-i të respektonte standardët e njohura ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut, kërkonte që emri i personit të ndaluar t’i raportohej menjëherë prokurorëve të sapo emëruar nga UNMIK-u dhe më pas gjykatësve, hetues apo personave që kishin funksione gjyqësore, sipas rrethanave. A ju kujtohet të ketë ndodhur kjo ditët e para të korrikut 1999?

Deshmitari: Sikur që ua përmenda edhe më përpara, gjykatësit e parë ishin atje në fillim të korrikut, ishin dërguar prej UNMIK-ut.

Pasi që përfunduan pyetjet e gjyqtarëve, ishte sërish radha e avokatëve dhe ky ishte momenti kur u zbulua se gjyqtari po shërbehej me materiale online, me gjasë nga google. Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts kërkoi sqarim se nga doli ai dokument sepse të njëjtin nuk po e gjente të dokumentet që ka dorëzuar prokuroria.

Avokati Roberts: Ju kërkoj falje që po i drejtohem trupit gjykues, por do më ndihmonit nëse me jepni përgjigje për pyetjen që sapo do të bëjë. A mund të më ndihmoni pak me referencen për pyetjen që u bë nga zoti Metro?

Gjykatësi Mettraux: Nuk besoj se ka një numër ERN, por mund ta gjeni online sepse është një dokument publik.

Roberts: Do të thotë nëse nuk e kam gabim, i takon që nuk është nxjerrë për mbrojtjen ky dokument nga prokuroria në këtë rast konkret.

Mettraux: Nuk e di, nuk e kam kontrolluar.

Roberts: Me çka kuptuam ne, dhe nga kontrollet që kemi bërë ky nuk është një dokument i cili është paraqitur nga prokuroria. Ju kërkoj ndjesë për këtë ndërhyrje, por thjeshtë doja të dija që situata është e qartë sa i takon statusit të këtij dokumenti.