Gjykata e Tenderëve anulon tenderin e Presidencës, eliminoi padrejtësisht një kompani

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) vendosi të mërkurën që ta anulojë dhe ta rikthejë në rivlerësim një tender të Zyrës së Presidentit të Kosovës për “furnizim me tavolina të punës dhe karrige për nevoja të ZRPK-së”.

Organi Shqyrtues i Prokurimit që njihet ndryshe si Gjykata e Tenderëve vlerësoi se Zyra e Presidentit e ka eliminuar padrejtësisht ofertën e një kompanie private për të favorizuar ofertën fituese.

Kompania e mobileve ‘Graniti’ Sh.P.K. fitoi ankesën në OSHP kundër Zyrës së Prokurimit të Presidentit të Kosovës, raporton Paparaci.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik ‘Graniti’ Sh.P.K. me seli në Suharekë, e parashtruar në OSHP më 12.12.2022 për aktivitetin e prokurimit: ‘Furnizim me tavolina të punës dhe karrigia për nevojat e ZPRK-së’”, thuhet në vendimin e OSHP-së, raporton Paparaci.

OSHP-ja vendosi që vendimi i Zyrës së Presidentit për ta shpërblyer me kontratë kompaninë “Mobelland” Sh.P.K., po ashtu me seli në Suharekë, të anulohet.

“Anulohet njoftimi mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues për dhënie të kontratës për aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Furnizim me tavolina të punës dhe karrigia për nevojat e ZRPK-së’, ndërkaq aktiviteti i prokurimit me të dhënat si më sipër kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendim.


Presidenca e eliminoi padrejtësisht kompaninë ‘Graniti’ Sh.P.K. me arsyen se kinse një certifikatë e kërkuar bazuar në Dosjen e Tenderit ishte e pavlefshme, me afat të skaduar.

OSHP-ja vlerësoi se Presidenca nuk ka ofruar dëshmi që tregojnë se certifikata ISO me numër ‘3834-2 2005’, e prezantuar nga kompania e eliminuar nga gara, ka afat të skaduar.

“Lidhur me pretendimin ankimor të parashtruar nga OE ankues, i cili ka të bëjë me arsyen e eliminimit të këtij operatori për shkak të vlefshmërisë së certifikatës ISO 3834-2 2005. Paneli Shqyrtues konstaton se sa i përket standardit të referuar nga palët në procedurë, në të njëjtin pas kontrollimit dhe verifikimit PSH nuk ka evidentuar një datë të skadimit të vlefshmërisë përveç datës së lëshimit dhe të dhënave tjera”, thuhet në vendim.

“[…] andaj PSH konstaton se konfrom raportit të ekspertizës AK obligohet që gjatë rivlerësimit t’i drejtohet drejtpërdrejt lëshuesit të kësaj certifikate, për faktin se në këtë rast AK nuk ka ofruar dëshmi, argumente apo fakte konkrete që tregojnë se i njëjti dokument ka afatin e skaduar”, konstatoi OSHP-ja.