gjahu

Gjuetia ilegale po rrezikon faunën e Kosovës

Krismat e pushkëve të gjahut po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në malet e Kosovës. Pjesë të ndryshme të kafshëve e shpendëve nëpër restorantet, shtëpitë e odat gjithandej Kosovës mbesin shenjat e dhimbshme të atyre krismave.

Dhia e egër, rrëqebulli ballkanik dhe kaprolli në Bjeshkët e Nemuna dhe të Sharrit, derri i egër, thëllënza e fushës, thëllënza gurore dhe ariu janë vetëm disa nga kafshët e egra që janë cak i gjahtarëve në të gjitha cepet e maleve të Kosovës.

Dikur për nevojë e tash më shumë për rekreacion, sportin e gjahtarisë e ushtrojnë gjuetarë në male të ndryshme, por gjuetia e jashtëligjshme po rrezikon të zhdukë speciet e rralla, të cilat gjenden në pjesët e ndryshme të viseve malore të Kosovës.

Fotografi Blerim Bytyçi, i cili me pasion fotografon kafshët e egra në Malet e Sharrit, thotë se gjuetia e jashtëligjshme këto male po rrezikon zhdukjen e kafshëve dhe shpendëve.

“Gjuetia e jashtëligjshme në Kosovë po rrezikon zhdukjen e kafshëve të egra gjithashtu edhe të disa shpendëve të llojit të rrallë në vargmalet e Sharrit”, thotë ai.

Edhe Granit Berisha, menaxher i vendgjuetisë “Kamenica”, nga Kamenicë, thotë se gjuetia e jashtëligjshme po rrezikon të gjitha kafshët e jo vetëm ato të mbrojtura me ligj, ndonëse shton se hapësira që e menaxhon kjo vendgjueti është në gjendje të mirë.

“Natyrisht që veprimet e tilla po rrezikojnë jo vetëm kafshët e mbrojtura me ligj, për shkak të numrit të vogël të tyre, por edhe fondin e kafshëve, të cilat nuk konsiderohen të rrezikuara”, thotë Berisha.

Berisha ka treguar se kjo vendgjueti po bën përpjekje që me organet e rendit dhe të ligjit ta ndalojnë këtë dëm të faunës.

“Në vendgjuetinë tonë po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që këto dukuri në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Gjuetisë, të luftohen në mënyrë që ky fond të ruhet dhe gjendjen e kafshëve të egra e kemi relativisht të mirë”, ka shtuar ai.

Për gjendjen e mirë të faunës në Kosovë ka treguar edhe Skender Sadikaj, i cili menaxhon vendgjuetinë në Suharekë.

Ai ka pohuar se në malet e Suharekës numri i kafshëve të egra është në rritje e sipër.

“Ne kemi vendosur kamera kurth dhe kemi parë që numri i kafshëve të egra është në rritje, ato kanë kapur arinjë, kaproj, lepujt, thëllëza, ujqër, dhelpra, fazanë e derra të egër”, ka rrëfyer Sadikaj.

Ndërsa në rajonin e Prishtinës kafshët e egra janë më të rrezikuara. Laryshia e kafshëve që dikur gjendej në këtë regjion tashmë po rrezikon zhdukjen e disa llojeve.

Milaim Vitia nga shoqata e gjuetarëve “Gollaku” nga Prishtina, ka treguar për rrezikun që po i kanoset këtij fondi nga mos menaxhimi i mirë i vendgjuetive të Prishtinës ndonëse kjo komunë këtë vit nuk ka të hapur sezonë të gjuetisë.

“Çdo kafshë në regjionin e Prishtinës është në rrezik të zhdukjes, këtë vit kryeqyteti nuk e ka hapur sezonën e gjuetisë për shkak të kësaj rrezikshmërie. Në qershor të këtij viti kam lëshuar fazanët në natyrë për herë të parë që nga paslufta, kafshët duhet të kultivohen, disa kaproj, disa lepuj të egër jam duke i kultivuar, kur bëhen 20 ose 30 sosh do t’i lëshoj në male sepse gjuetia duhet të mbrohet dhe jo të shkatërrohet. Kafshët duhet të çiftëzohen në mënyrë që të ketë në sasi të madhe, sidomos kaprolli është në zhdukje dhe jam duke u munduar që të mos humbas ky lloj”, ka rrëfyer Vitia. Situata është e njëjtë edhe në Parkun Nacional ,,Mali Sharr”.

Sadri Hodaj, nga shoqata e gjahtarëve “Sharri” nga Prizreni ka treguar për llojet që janë në rrezik të zhdukjes në këtë park.

“Gjuetia e jashtëligjshme dhe e pa kontrolluar, rrezikon të gjitha speciet e posaçërisht ato të rralla, kafshët e egra që rrezikohen më së shumti në trevën tonë janë Ariu dhe Drenusha pasi ato janë në zhdukje e sipër, si shkak i gjuetisë së paligjshme dhe të pakontrolluar”, ka treguar Hodaj.Sipas tij gjendje kjo mund të rregullohet vetëm me respektimin e dispozitave ligjore.

“Rregullimi ligjor dhe angazhimi i institucioneve që të fusin nën kontroll gjuetinë me rregulla strikte, si në çdo shtet tjetër evropian, pasi gjahu është një sport dhe një kulturë e lashtë që duhet dashur dhe kultivuar e nuk është biznes”, ka shtuar ai.

Fotografi Bytyçi thotë se përveç kujdesit për vendgjuetitë duhet edhe kujdes ndërkufitar për të parandaluar hyrjet dhe gjuetinë ilegale.

“Duke e pasur parasysh relievin që kanë bjeshkët e Sharrit, ja mundëson jetesën e dhisë së egër të llojit të rrallë, “Rupicapra”. Viteve të fundit, po ky lloj i dhisë po zhduket, flas nga eksperienca ime të cilën e kam nëpër këto bjeshkë tash e sa vite. Nevojitet bashkëpunim në mes të forcave të sigurisë Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni që të paktën të parandalohen hyrjet dhe daljet ilegale. Kemi parë lëvizje të gjuetarëve nga këto anë që rrezikojnë zhdukjen e këtyre kafshëve”, ka treguar Bytyçi.

Edhe fotografi, Arian Mavriqi, thotë se gjuetia e jashtëligjshme po rrezikon pjestarët e faunës malore.

Ai ka shtuar se kjo dukuri është që nga paslufta dhe po vazhdon ende për shkak të mos dhënies së dënimeve konform ligjeve në fuqi për vrasjen e kafshëve.

“Gjuetia e jashtëligjshme padyshim se rrezikon zhdukjen e specieve në vendin tonë, sidomos pasluftës kur dihet se një numër shumë i madh i lejeve të armëve janë lëshuar në Kosovë. Disa gjuetarë për fat të keq nuk e kanë respektuar kodin e përcaktuar me ligj dhe kanë vrarë shpesh edhe pjestarë të faunës, të cilët janë të mbrojtur me ligj,” ka thënë Mavriqi.

Përkundër gjendjes së keqe në fondin e faunës në malet e Kosovës, të treguar nga ata që çdo ditë “jetojnë” me këto kafshë të egra, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. MBPZhR, mendon ndryshe.

Bajram Batusha nga Divizioni për Politika Menaxhuese me Kafshë të Egra, Gjueti dhe Ekoturizëm në kuadër të MBPZhR ka thënë se fondi i kafshëve të egra nuk është në rrezik të zhdukjes së llojeve të rralla.

“Edhe pse gjuetia ilegale po e rrezikon numrin dhe llojet e disa kafshëve të egra, rrezik zhdukjeje nuk ka”, pohon me vendosmëri Batusha.

Sipas tij masë parandaluese për gjuetinë e jashtëligjshme është respektimi i ligjit të Gjuetisë, udhëzimeve administrative të dala nga ky ligj, si dhe rregulloret tjera relevante që e trajtojnë këtë lëmi.

Edhe arinjt janë specie shumë e dëshirueshme për gjuetarët.

Afër liqenit të Badovcit, gjenden 19 arinj, të cilët janë marrë në treva të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë për t’u ruajtur nga mbajtja ilegale, izolimi dhe keqtrajtimi.

Zëdhënësi i “Pyllit të Arinjve” Prishtina, Taulant Hoxha, ka treguar se këta arinj janë gjetur në restaurante duke ju shërbyer pronarëve si “atraksione” për të tërhequr klientë.

“Qëllimi kryesor i “Pyllit të Arinjve” Prishtina që nga ideja fillestare ka qenë shpëtimi i arinjve nga kushtet dhe restaurantet e ndryshme, duke i vendosur në një ambient sa më natyror me kujdesin profesional që nga kontrollat e rregullta shëndeësore e deri te të ushqyerit e shëndetshëm,” tregon Hoxha.

Jashtë strehimores, gjuetia mbetet kërcënim i përhershëm edhe për arinjtë.

Elza Ramadani, udhëheqëse e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, ka shtuar se gjuetia duhet të bëhet vetëm në zonat që janë të caktuara me ligj dhe në sasi të caktuar.

“Gjuetia e jashtëligjshme përveç që e dëmton shumë mirëqenien e kafshëve që padrejtësisht vriten për qëllime koti e dëmton edhe ekosistemin dhe mund të rregullohet vetëm nëse këto kafshë të egra kanë vendin e vet të caktuar dhe numrin,” ka thënë Ramadani.

Sipas saj kjo mund të rregullohet vetëm me dënimin e personave që bëjnë gjueti të jashtëligjshme.

“Duhet të dënohen ata që e prishin këtë ekosistem e që është shumë e lehtë sepse rrjetet sociale janë të mbushura me persona që mburren me vrasjen e një ariu, dreri ose ndonjë derri të egër”, ka shtuar ajo.

BIRN ka kontaktuar edhe me organet e rendit dhe të ligjit, por të një jtit nuk kanë pranuar të përgjigjen duke thënë se kjo u takon shoqatës së gjahtërë ve, përkundër se gjuetia e jashtëligjshme përbën vepër penale.

Derisa nuk ka ndonjë kampanjë më të ashpër të dënimit të atyre që ilegalisht gjuajnë dhe dëmtojnë vet ekzistencën e faunës në Kosovë, brinjët e dhisë, kafka kaprojsh e shqiponja të ngrira do të jenë vetëm disa nga pamjet e shëmtuara që do na përcjellin nëpër vende të ndryshme që frekuentojmë anë e kënd Kosovës.