Gjonbalaj për presionin serb ndaj Malit të zi: Jemi mësuar me këto veprime shoviniste

Ish-futbollisti kosovar Malsor Gjonbalaj, ka komentuar ndeshjen mes Malit të zi dhe Kosovës që do të zhvillohet sonte në Podgoricë, me fillim nga ora 20:45 për kualifikimet e EURO 2020.

Ai në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se presionet e Beogradit mbi ekipin e Malit të zi për të mosluajtur ndaj Kosovës lojtarët që kanë prejardhje serbe, janë shoviniste.

Me këtë rast theksoi se presionet e tilla janë të njohura tashmë.

“Ka qarkulluar para disa ditësh ky lajm. Tifozët serbë i kanë bërë presion selektorit Tumbakoviq, dhe lojtarëve Ivaniq dhe Stojkoviq. Ne e dijmë që edhe trajneri është nga Serbia.Jemi mësuar për presione shoviniste nga Beogradi. Presim reagim nga Federata e Malit të zi. Paraqitjet janë e drejtë individuale e secilit dhe Mali i zi është shtet i njohur. Është për të ardhur keq nëse selektori bie nën një presion të tillë.”

Gjonbalaj tutje shtoi se zhvillimi i ndeshjes pa tifozë si pasojë e dënimit të Malit të zi për fyerje raciste ndaj Anglisë është hendikep për futbollistët, por nuk është përparësi kryesore.

“Së pari UEFA si organizatë që e menaxhon futbollin masat i merr si preventivë. Loja pa shikuesë hendikep për futbollistët dhe keq që shikuesit nuk mund ta pëcjellin ndeshjen. Por kjo nuk është një përparësi vetëm pse nuk i ka tifozët”.

Ish-futbollisti tutje tha se malazezët kanë shumë mungesa por janë një skuadër shumë funksionale.

“Përveç tifozëve Malit të zi është presion nga një shtet tjetër, dhe ka shumë mungesa, çka i jep një përparësi të lehtë. Por pavarësisht kësaj skuadra malazeze ka funksionalitet.”

Ai vuri në dukje edhe mangësitë e Kosovës në taktikën e lojës, me mungesat e mëdha në formacion.

“Mosloja e Hekuran Kryeziut dhe Herolind Shalës është një mungesë e madhe. Edhe Valon Berisha ka kohë qe mungon. Poashtu edhe Amir Rrahmani është në dyshim. Këto ndryshimë të shpeshta lëjnë hapësira në formacion”.

Ndërkaq sipas tij edhe ndryshimi i portierëve nuk i jep siguri portës, por u shpreh i bindur se Kosova do të shënoj të paktën një herë sonte.

“Ndryshimi i portierëve nuk ofron dhe aq stabilitet. Ne do të shënojmë gol patjetër sonte, sepse kemi sulm jashtëzakonisht të fuqishëm”.

Presionin e Serbisë e quajti si një skandal të madh sportiv, duke shprehur keqardhje nëse trajneri dhe lojtarët janë rënë në grackën e Beogradit.

Ndryshe lojën e sonte e quajti shumë të rëndësishme, e cila do të jetë reflektim edhe për ndeshjen ndaj Bullgarisë.

“Loja me Malin e zi do të jetë një pasqyrë se si do të luajmë ndaj Bullagrisë. Kjo skuadër ka futbollistë cilësor dhe do të jetë goxha i vështirë.Ndryshimi i trajnerit, ardhja e Ballakov si trajner i Bullgarisë ka arritur me kthy motivin në ekipin e tij. Kosova do të duhet të vepronte fizikisht në Sofje.”