Albi Mall Superliga

Gjilani me fitore bindëse ndaj Fushë Kosovës, Hazrollaj shënon në sytë e Fodas

Gjilani ka shënuar fitore bindëse në kuadër të javës së 28-të në Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e drejtuar nga Gentijan Mezani e mposhti Fushë Kosovën, me rezultat bindës, 4:0.

Të katër golat gjilanasit i shënuan në pjesën e dytë. Serinë e golave e hapi Marko Roganoviq, në minutën e 52-të, për ta vazhduar Oltion Billali (60′), teksa rezultatin përfundimtar e vulosi Senad Jaroviq, me golat e shënuar në minutat 68’ e 74’.

Ndërkohë, ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” ndërmjet Malishevës dhe Dukagjinit u mbyll baras 1:1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Altin Mërlakut, në minutën e 53-të, por baraspeshën në rezultat e riktheu Drilon Hazrollaj, me golin e shënuar në minutën e 77-të.

I pranishëm në këtë ndeshje ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.