Gjermania pëson 6 humbje brenda një viti për herë të parë në histori

Dy golëshi i Antoine Griezmann i realizuar mbrëmë e shtyu Gjermaninë drejt humbjes së 6-të gjatë këtij viti, diçka që nuk e kanë provuar asnjëherë.

Ka qenë një vit negativ për “pancerat” të cilët janë përballur me problemet jashtë fushës dhe rezultatet katastrofike në Kupën e Botës.

Në aspektin e rezultatit humbja ndaj Holandës ishte më e keqja teksa gjermanët u kaluan lehtësisht nga “tulipanët” me rezultatin e thellë 3-0.

Por dy nga humbjet më kruciale erdhën në Kupën e Botës, fillimisht në ndeshjen hapëse ndaj Meksikës 0-1 dhe pastaj kundër Koresë së Jugut 2-0, rezultat që i eliminoi kampionët në fuqi që në fazën e grupeve, për të parën herë në histori.

Dy humbjet tjera të Gjermanisë ishin më miqësoret përgatitëse për Kupën e Botës përballë Brazilit dhe Austrisë.

Pavarësisht se me Francën në pjesën e parë skuadra e Low bëri paraqitje të mirë, në fund nuk ia doli ta evitojë humbjen e radhës.

Një tjetër e dhënë interesante për ekipin kombëtar gjerman është se me humbjen e mbrëmshme për herë të parë që nga viti 2000 pësuan disfatën e dytë radhazi.