Giresse thotë se Rumania është favorite, paralajmëron befasi në Prishtinë

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë për mediumet rumune se “Dardanët” do të jenë plotësisht të gatshëm për duelin me Rumaninë. Kosova dhe Rumania do të përballen të premten në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Ndeshja që i takon Grupit I zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në një intervistë për “ProSport”, Giresse ka paralajmëruar rumunët. Ka thënë se Kosova nuk është në nivelin e Kroacisë apo Serbisë, por do ta befasojë Rumaninë në duelin direkt për pozitën e dytë në grup, e cila garanton pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm.

“Ne nuk jemi në nivelin e Kroacisë apo Serbisë, por jemi duke përgatitur befasi të mjaftueshme për Rumaninë”, ka thënë Giresse.

Selektori i Kosovës ka thënë se tashmë e ka analizuar mirë Rumaninë, e cila i ka fituar dy ndeshjet e para të këtij cikli eliminator dhe i prin grupit me gjashtë pikë së bashku me Zvicrën. Ai ka informacione të mjaftueshme për rumunët dhe e di saktësisht se çfarë duhet të bëjë Kosova.

“I kam shikuar ndeshjet e fundit të Rumanisë, kam mbledhur detaje interesante për ekipin dhe e di shumë mirë se çfarë duhet të bëj. Por a prisni me të vërtetë të zbuloni sekrete prej meje që do të ishin të dobishme për trajnerin e Rumanisë, zotëri Iordanescun?”, ka pyetur Giresse.

Tekniku francez ka thënë se një gjë e mirë për Kosovën në ndeshjen e së premtes është se Rumanisë i mungon mesfushori Razvan Marin. Giresse ka vlerësuar se Rumania më shumë mbështetet në forcën e grupit sesa në ndonjë lojtar, gjë që e detyron Kosovën të jetë maksimalisht e kujdesshme.

“Është shumë mirë për ne që mungon Razvan Marin, i cili është lojtar i rëndësishëm në mekanizmin e ekipit. Megjithatë, Rumania sot mbështetet më shumë në forcën e grupit sesa në lojë individuale. Nuk e ka më një Hagi apo një Dumitrescu. Është ekip në kërkim të viteve të arta, i cili e ka nisur shkëlqyeshëm këtë cikël dhe kjo na detyron të jemi edhe më të kujdesshëm për ndeshjen e së premtes”.

Trajneri francez ka thënë se sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, të cilin e ka ftuar për ndeshjet e këtij muaji, nuk mund të jetë personi adekuat për t’i dhënë detaje rreth Rumanisë. Krasniqi është pjesë e Clujit, ekipit rumun të cilit iu bashkua në fillim të këtij viti nga Ballkani.

“Krasniqi nuk mund të jetë, për fat të keq, një spiun i përsosur, sepse ka pak lojtarë në kampionatin vendës për të cilët ai mund të flasë me ne. Krasniqin nuk e kemi ftuar në mars, sepse kemi shumë opsione në fazën e sulmit. Mendova se ishte më mirë që ai të qëndronte në klub, të përshtatej, të kishte kohë për t’u integruar, sepse ishte transferuar te Cluji. Tani ai mund të na ndihmojë më shumë”, ka theksuar Giresse.

Selektori i Kosovës foli edhe për dy ndeshjet e muajit mars, barazime 1:1 me Izraelin dhe Andorrën. Giresse ka pranuar se barazimi me Andorrën nuk është pritur mirë. Sipas Giresset, dy pikët e humbura ndaj Andorrës e obligojnë Kosovën të jetë perfekte dhe ta synojë fitoren ndaj Rumanisë.

“Ishte një ndeshje ku kundërshtari mbylli të gjitha linjat. Thjesht, nuk gjetëm zgjidhjet e duhura, na mungonin edhe shanset, kështu që doli një barazim i pakëndshëm. Ishte një rezultat fatkeq, i cili tani na detyron të mos bëjmë më gabime në shtëpi, përfshirë edhe në ndeshjen kundër Rumanisë”.

Giresse ka paralajmëruar se Kosova do të jetë agresive ndaj Rumanisë, ndërsa ka parashikuar se atmosfera në stadium do të jetë fantastike.

“Sigurisht që do të tregojmë agresivitet edhe në ndeshjen ndaj Rumanisë, por asgjë në kuptimin negativ. Agresiviteti dhe vendosmëria janë disa nga cilësitë e rëndësishme të kësaj përfaqësueseje, e cila, ju kujtoj, ka ende një histori shumë të shkurtër. Por në krah do të kemi edhe një publik fantastik, gjithmonë pas skuadrës. Do të jetë një atmosferë e jashtëzakonshme”, është shprehur Giresse.

Selektori Giresse nuk ka hezituar të pranojë se Rumania është favorite ndaj Kosovës.

“Rumania është favorite në këtë ndeshje. Sigurisht që tani nuk ka në ekip futbollistë nga pesë kampionatet më të mira evropiane, ndryshe nga Kosova. Por ka shumë rëndësi fillimi i ndryshëm në këto eliminatore dhe tradita e secilës skuadër, e cila ende luan një rol të rëndësishëm në aspektin mental”.