Gërxhaliu: Kosova po shndërrohet në shtet social, këtë dimër problemi kyç do të jetë rryma

Njohësi i ekonomisë Safet Gërxhaliu, ka thënë se njëra ndër sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet Kosova këtë dimër do të jetë furnizimi me energji elektrike.

I kontaktuar nga lajmi.net, Gërxhaliu deklaroi se Kosova betejën me energjetikën e ka humbur 20 vite më parë.

“Një ndër sfidat më të mëdha me të cilat do të ballafaqohet këtë dimër Kosova do të jetë furnizimi me energji elektrike, e kemi thënë edhe në te kaluarën që Kosova e ka humbur betejën energjetike para 15-20 viteve kur kanë dështuar projektet e mëdha për të prodhuar energji elektrike. Është një fitore e madhe e armiqve të Kosovës, në rend të parë Alternativës Ballkanike për Energji Elektrike por edhe qarqeve të caktuara që duke u thirrur në emër të patriotizmit ambiental e kanë shkatërruar zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim do të jetë mjaft sfiduese, nuk është në pyetje më çmimi i lartë i energjisë elektrike por a do të ketë për të blerë?!”, ka thënë Gërxhaliu.

Sa i përket situatës ekonomike në vend për përballjen me inflacionin, Gërxhaliu ka thënë se Kosova është shndërruar në një shtet social.

“Problem më i madh që po i ndodh Kosovës është se është shndërruar në një shtet social, e pranuam apo se pranuam. Kosova meriton më tepër, meriton sektor privat më të fuqishëm, meriton një qasje më të mirë në sundimin e ligjit që do të përmirësonte imazhin e Kosovës për investitorët e huaj. Duhet të kuptohet që ekonomia është një lokomotivë që duhet të përcillet nga mbrapa dhe jo të i dilet përballë e të pengohet zhvillimi ekonomik.”, u shpreh Safet Gërxhaliu.